Papa në audiencën e përgjithshme: dashuria për Zotin e për të afërmin është e fshehta
e jetës së vërtetë e të lumtur.
(02.12.2009 RV)Vetëm në se e do
Zotin me mend e me zemër, mëson ta njohësh e të jetosh me Të një jetë me të vërtetë
të lumtur. Në audiencën e sotme përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit,
Benedikti XVI bëri të vetin mësimin e Gulielmit të Sen-Tierí, murg francez, një nga
shkrimtarët më të rëndësishëm të krishterë të shekullit XII, të cilëve Papa po u kushton
katekizmin prej disa javësh. Në përfundim të takimit të së mërkurës me shtegtarët,
Ati i Shenjtë foli për vlerën e Sakramentit të Rrëfimit, në 25-vjetorin e Nxitjes
Apostolike “Reconciliatio et paenitentia”.
“Energjia kryesore, që vë
në lëvizje shpirtin njerëzor, është dashuria”. Ky, që për arsye nga më të ndryshmet,
mund të duket si pohim tejet i njohur e i rëndomtë i epokës sonë – herë i mirëkuptuar
e herë i keqkuptuar - ishte e mbetet zemra e mesazhit të krishterë. E, për murgun
Gulielmi i Shën Tieri-së, benediktin më parë e më pas çisterçens, që jetoi në Francë
ndërmjet viteve 1080-1148, është deri në atë pikë, sa kuptimi i artit të krishterë
të dashurisë bëhet thelbi i zemrës së njeriut, që jeton duke kundruar dashurinë e
Zotit e duke u thelluar në të. Benedikti XVI iu rikthye, kështu, njërës nga idetë
kryesore të Gulielmit e cila – nënvizoi Papa - vlen edhe për ne: “Thelbi
më i thellë i natyrës njerëzore është prirja për të dashur. Në fund të fundit mund
të themi se çdo njeriu i besohet një detyrë e vetme: të mësojë për të dashur, sinqerisht,
vërtetësisht, pa kurrfarë interesi. Por një detyrë e tillë mund të realizohet vetëm
në shkollën e Zotit, e vetëm në bankat e kësaj shkolle njeriu mund të arrijë qëllimin,
për të cilin është krijuar”. Dashuria është Arti i arteve – shkruante akoma
Gulielmi i Sen Tieri-së, duke sqaruar – kujtoi Papa – se objekti i kësaj dashurie
është Dashuria me “D” të madhe, domethënë, Zoti. Sidoqoftë – vëren Benedikti XVI -
ajo që të prek në shkrimet e murgut të lashtë, është se kur flet për dashurinë ndaj
Zotit, i kushton vëmendje të veçantë përmasës së ndjesive: “Në fund të fundit,
të dashur miq, zemra jonë është e bërë prej mishi, e kur duam Zotin, që është vetë
dashuria, si mund të mos i shprehim, në këtë lidhje me Zotin, edhe ndjesitë tona
tejet njerëzore, si dhembshuria, ndjeshmëria, ëmbëlsia?”. Lartimi drejt
Zotit është një akt, në të cilin përfshihen mendje e zemër, sepse vetëm mendja e
kufizon, ndonëse nuk e zhduk, distancën ndërmjet subjektit dhe objektit të dashurisë: “Por
dashuria ka fuqi tërheqëse e bashkuese deri në atë pikë, sa ai që do e ai që duhet
shndërrohen e asimilohen. Këto ndjesi e kjo simpati e anasjelltë krijojnë kushtet
për një njohje shumë më të thellë, sesa ajo që arrihet vetëm me arsye (…) . Të dashur
miq, pyesim veten: a nuk ndodh pikërisht kështu në jetën tonë? A s’është e vërtetë
se ne e njohim thellësisht, vetëm atë që e dashurojmë? Pa pasur më parë një farë simpatie,
nuk mund të njohim askënd e asgjë e (…) Zoti njihet vetëm në se duhet”. E
pasi të kapet në majen e asaj, që murgu Gulielm e quan ‘bashkim i shpirtit’ me Zotin,
njeriu arrin përngjasimin e vërtetë me Krijuesin e vet, bashkimin e plotë me Të.
Kështu, nga “Këngëtari i dashurisë e i dhembshurisë” – siç e quajti Benedikti XVI
Gulielmin e Sen Tieri-së, të krishterët e sotëm mund të mësojnë të zgjedhin rrugën
e vërtetë, atë që u jep kuptim e vlerë të gjitha rrugëve të tjera: “Ta duam
Zotin e për dashuri të tij, ta duam edhe të afërmin tonë; vetëm kështu mund të gjejmë
gëzimin e vërtetë, që i paraprin lumturisë së amshuar. Të ulemi, prandaj, në bankat
e shkollës së shenjtorëve, për ta nxënë me gjithë mend e me gjithë zemër mësimin e
madh të dashurisë”.
Pas katekizmit, Papa përshëndeti
besimtarët në gjuhë të ndryshme. Posaçërisht - përfaqësuesit e Shoqatës së Detarëve
të Italisë dhe ata të Federatës Italiane të Bukëpjekësve e të Pastiçerëve, të cilët
i falënderoi për dhuratën bujare të panetoneve, ëmbëlsira të cilat do të përdoren
për veprat e bamirësisë së Papës. Benedikti XVI kujtoi edhe 25-vjetorin e shpalljes
së Nxitjes Apostolike “Reconciliatio et paenitentia”, botuar nga Gjon Pali
II më 2 dhjetor të vitit 1984. Ky dokument - shpjegoi Ati i Shenjtë – tërhoqi vëmendjen
mbi vlerën e Sakramentit të Rrëfimit apo të pajtimit me Zotin, në jetën e Kishës.
Duke kujtuar disa nga apostujt e rrëfyestores, si Shën Gjon Vianej e Shën Pio i Pietrelçinës,
Papa përfundoi me fjalët: “Uroj që shembulli i këtyre shenjtorëve, shërbenjës
të flaktë e besnikë të ndjesës hyjnore, të jetë për meshtarët, posaçërisht në këtë
Vit meshtarak - e për të gjithë të krishterët - ftesë për t’i besuar gjithnjë më shumë
mirësisë së Zotit, duke e kremtuar me besim Sakramentin e Rrëfimit”.