2009-12-02 17:24:36

Obama siguron 30 mijë ushtarë më shumë për Afganistanin, Nato 5000.


(02.12.2009 RV)RealAudioMP3 30 mijë ushtarëve amerikanë me të cilët do të shtohet kontingjenti ndërkombëtar i disllokuar në Afganistan, NATO-ja u përgjigjet me 5 mijë. Sekretari i përgjithshëm, Rasmusen theksoi se është e rëndësishme të ruhet karakteri shumëpalësh i misionit. Edhe Shqipëria, e cila ka 250 ushtarë në Afganistan, do të kontribuojë me 85 të tjerë. Nesër, çështja do të diskutohet nga ministrat e jashtëm të NATO-s, në praninë e sekretares amerikane të shtetit, Hilari Klinton. Edhe qeveria e Kabulit shpreh kënaqësinë e vet, megjithëse popullsia ka frikë se mos shtohet dhuna. Në fakt, talebanët kanë deklaruar se 30 mijë ushtarë më shumë s’do të bëjnë tjetër, veçse do të forcojnë rezistencën.
Vendimi i Shtëpisë së Bardhë, në një farë mënyre, riplanifikon marrëdhëniet me vendet e tjera të pranishme në Afganistan. Të dëgjojmë mendimin e ekspertit të politikës amerikane për gazetën italiane “La Stampa”, Paolo Mastrolili:
Përsa i përket NATO-s, strategjia e Obamës është vendimtare: nëse NATO-ja do të dështojë në këtë operacion – sipas disa vëzhguesve – do të vihet në rrezik vetë ekzistenca e saj. Ka dy aspekte, që kanë të bëjnë me vendet e huaja: i pari është ai i qeverive lokale. Pakistani ka nevojë ta ndihmojë këtë strategji të re amerikane, për të shmangur që Al Kaida të zotërojë sërish Afganistanin, por deri tani, Islamabadi nuk ka bashkëpunuar shumë. Nga ana tjetër, kemi vendet evropiane, të cilat përmes NATO-s po kontribuojnë në këtë përpjekje e natyrisht do të donin të shihnin pak dritë në fund të tunelit e pra, një strategji që të sjellë stabilizimin e Afganistanit dhe fundin e ndërhyrjes së tyre, pa vënë në rrezik të ardhmen e NATO-s.
Çfarë do të ndryshojë me strategjinë e re të presidentit amerikan?
Obama është përpjekur t’u përgjigjet përkrahësve të tij brenda SHBA-ve, pra, nga njëra anë ofron më shumë ushtarë për të ndihmuar atë strategji që kërkon stabilizimin e vendit, por nga ana tjetër, përpiqet të vendosë një horizont, një afat të fundit, brenda të cilit ndërhyrja duhet të përfundojë, e ky afat është korriku i vitit 2011. Ekziston rreziku që kjo strategji të mos e arrijë objektivin, pasi, siç thonë kritikët e saj, u ofron talebanëve një afat, brenda të cilit ata duhet të rezistojnë për të arritur pastaj të mundin amerikanët. Nëse ata do të rezistojnë deri në korrik 2011, amerikanët do të fillojnë tërheqjen e për talebanët do të hapet perspektiva e rimarrjes së kontrollit mbi vendin.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.