2009-12-02 19:55:55

Benedikti XVI: jetëshkrim i shkurtër i Gulielmit të Sen Tieri-së.


(02.12.2009 RV)Gijomi apo Gulielmi, lindi në Liezh të Francës, ndërmjet viteve 1075 e 1080. Bir i një familjeje fisnike, i pajisur me inteligjencë jo të zakonshme e me dëshirë të zjarrtë për studim, ndoqi shkollat më të famshme të epokës, si në qytetin e tij të lindjes, Reims, ashtu edhe në vise të tjera të Francës. U njoh edhe me Abelardin, mësuesin që zbatonte filozofinë në teologji në mënyrë aq origjinale, sa të ngjallte shumë dyshime e kundërshtime. Edhe Gulielmi shprehu dyshimet e tij. Madje nxiti edhe mikun e vet, Bernardin e Kiaravales, të mbante qëndrim kundër Abelardos. Duke iu përgjigjur thirrjes së pakundërshtueshme të Zotit për të ecur në rrugën e jetës rregulltare, hyri në manastirin benediktin të Sen-Nikesë në Reims në vitin 1113 e, pas ndonjë viti, u bë abat i manastirit të Sen-Tieri-së, në dioqezën e Reimsit. Në këtë periudhë qe përhapur shumë përpjekja për pastrimin e përtëritjen e jetës murgare, në përkim të plotë me mësimet e Ungjillit. Gulielmi punoi me zell të madh në këtë drejtim në manastrin që drejtonte e, në përgjithësi, në mbarë Urdhërin benediktin. Nuk e pati aspak të lehtë sepse ndeshi shumë kundërshtime në përpjekjen për të reformuar jetën e murgjërve. Prandaj, në vitin 1135, pavarësisht nga këshillat e mikut të tij, Bernardit, u largua nga abacia benediktine, la zhgunin e zi, për të veshur atë të bardhin e për t’u bashkuar me çisterçensët e Sinjit. Që nga ky çast, deri në vdekje, më 1148, iu kushtua plotësisht, kundrimit të mistereve të Zotit në lutje, gjë që e kishte dëshiruar gjithë jetën, si dhe kundrimit të shkrimeve të letërsisë së përshpirtshme, me rëndësi të posaçme në historinë e teologjisë murgare.
La disa vepra, ndërmjet të cilave, ‘Natyra e dinjiteti i dashurisë” dhe “Duke kundruar Zotin”, pa harruar ‘Letrën e artë’, drejtuar çertozinëve të Malit të Hyjit, të cilët kishte shkuar t’i vizitonte për t’i ngushëlluar e për t’i këshilluar.
Në përfundim të jetëshkrimit të Gulielmit të Sen-Tieri-së, po kujtojmë një nga shprehjet e tij më të famshme: “Dashuria është zanafilla e dijes”.







All the contents on this site are copyrighted ©.