2009-12-01 15:42:32

Shën Naumi Profet na kujton: "Asnjë krim nuk do të mbetet i pandëshkuar".


(01.12.2009 RV)Njihet si autor i Librit me të njëjtin emër të Besëlidhjes së Vjetër, që vjen menjëherë pas atij të Mikesë e i paraprin Librit të Abakukut.
Rreptësia me të cilën shprehet, përkon me mendësinë e Besëlidhjes së Vjetër.
Dimë pak e aspak për jetën e këtij profeti, i shtati ndërmjet profetëve të vegjël. Dihet vetëm se jetoi në gjysmën e dytë të shekullit VII p. K., ndoshta në kohën e rënies së Tebës (663 p. K.) e të Ninives (612) në duart e ushtrive babiloneze e persiane. Sipas Shën Jeronimit, duhet të ketë lindur në fshatin e humbur me emrin Elkos, në Galilé.
Në Librin e tij, ose më mirë të themi, në librecin profetik, ndarë në tre kapituj, shkruan vegimin e rrënimit të kryeqytetit të Asirisë, Ninives, që u pushtua në vitin 612 p. K. nga ushtritë e mbretit të Medëve, Çiasarit e të Nabopolasarit, themelues i dinastisë neobabiloneze.
Kënga profetike e Naumit i kushtohet plotësisht rënies e rrënimit të Asirisë, kundërshtares së madhe të Izraelit. Libri kompozohet në trajtën e një gjëme sarkastike, përmes së cilës, duke u shtirë si njeri që ka mort të rëndë në zemër, profeti shpreh kënaqësinë e tij për fundin që pësoi Asiria, vepër drejtësie e Zotit, i cili vonon, por s’ harron t’i ndeshkojë asirianët e mbrapshtë për shtypjen e rëndë e mizore të Izraelit. Rënia e Ninives tingëllon si simbol i fitores së madhe të Zotit mbi të keqen dhe i shpresës së të shtypurve për një ardhmëri më të mirë.
Në poemën profetike të Naumit apo të Nahumit, ngjarjet pikturohen drejtpërdrejt, duke kujtuar, paralelisht, edhe atë që kishte ndodhur pak kohë më parë, rënien e Tebës, kryeqytet egjiptian, rrënuar në vitin 663 p. K., pikërisht nga asirët, të udhëhequr nga Asurbanipali. Po tani, rolet përmbysen. Janë asirët, të cilët pësojnë atë që ua kishin bërë, pa dhimbë as mëshirë, të tjerëve.
Asirët qenë treguar tejet të egër, patën burgosur krerët e Tebës e patën masakruar fëmijët e tyre. E tani profeti shikon të njëjtat shkatërrime, të njëjtat masakra, të njëjtët grumbuj kufomash të pavarrosura në sheshet e Ninives, që u bë e njohur me emrin ‘qytet gjakatar’.
Në përfundim Naumi shqipton mësimin e tij profetik, duke kujtuar se nuk mund të ndërtohen mbretëri të qëndrueshme, të bazuara mbi forcën e armëve, mbi prepotencën e mbi krimin, sepse Zoti duron, po në fund të fundit s’le asnjë krim e asnjë kriminel pa e ndeshkuar!
Ja dhe profecia e fundme e Naumit profet, për ata që përbuzin gjyqin e Hyjit:

“Edhe ti, pra, do të kesh një fund të hidhur!
Do të përbuzesh,
e prej armiqve
strehim do të kërkosh.
E populli yt do të mbetet në vasha.
E shulat e dyerveDo të bëhen shkrumb nga zjarri!”.

 
(Nah 3, 11,13)







All the contents on this site are copyrighted ©.