2009-12-01 15:10:06

Papa: kush ndjek leksionin e Galileut nuk i beson vetëm shkencës, por e ngre vështrimin drejt Krijuesit të gjithçkaje


(01.12.2009 RV)RealAudioMP3 “Kush e sheh kozmosin, duke ndjekur leksionin e Galileut, nuk mund të ndalet vetëm në atë që vëzhgohet me teleskop, duhet të shkojë përtej, për ta pyetur veten rreth kuptimit dhe qëllimit të krejt Krijimit”. Ky është thelbi i mesazhit që Papa Benedikti XVI i dërgoi dje Universitetit Papnor Lateranens, me rastin e konferencës me temë: “Nga teleskopi i Galileut në kozmologjinë evolutive. Shkenca, filozofia dhe teologjia në dialog”. Ky takim zhvillohet në kuadrin e Vitit Ndërkombëtar të Astronomisë, për të kremtuar 400 vjetorin e zbulimit të teleskopit.
Papa përshkruan habinë dhe emocionin e Galileut, kur 400 vjet më parë, në vitin 1609, drejtoi për herë të parë në qiell teleskopin, “ndërtuar prej meje – thoshte atëherë shkencëtari pizan – i ndriçuar nga Hiri Hyjnor”. Shkenca ndryshoi një herë e përgjithmonë. Galileu, shpjegon Ati i Shenjtë në mesazh, nuk i bëri vetes thjesht pyetjen si të shoh yjet, por donte të dinte origjinën e universit. E vetë universi na shtron përpara pyetje, përgjigjia e të cilave nuk gjendet vetëm përmes shkencave. Galileu, i mahnitur para kozmosit të krijuar shkruante: “Zoti e ka shkruar librin e natyrës në formën e gjuhës së matematikës. E megjithatë, matematika është shpikje e shpirtit njerëzor për të kuptuar Krijimin”. Kështu, përkimi i përsosur ndërmjet strukturës objektive të universit dhe strukturës intelektuale të subjektit njerëzor, na fton të pranojmë një Inteligjencë të vetme krijuese, që i lidh këto dy realitete. Kjo Inteligjencë është Zoti, i cili e ka zbuluar veten në Jezu Krishtin, duke treguar dashurinë e pakufishme për botën.








All the contents on this site are copyrighted ©.