Benedikti XVI teologëve: nëse nuk jemi të përvujtë nuk kemi asnjë mundësi për ta kuptuar
Zotin
(01.12.2009 RV) Teolog i vërtetë
është ai që nuk e kërkon thjesht me inteligjencën e vet misterin e Zotit, duke e zhveshur
kështu nga kuptimi figurën e Krishtit, por është i vetëdijshëm për kufizimet e veta,
ashtu siç qenë shumë shenjtorë të njohur si mësues të mëdhenj. Ky ishte mendimi i
shprehur sot paradite nga Papa gjatë Meshës së kremtuar me anëtarët e Komisionit Teologjik
Ndërkombëtar, të cilët dje kishin mbledhjen e përgjithshme. Prototipin e teologut
që di gjithçka, që e studion Shkrimin e Shenjtë, ashtu si ndokush prej shkencëtarëve
studion natyrën - pra me ftohtësinë akademike, që pretendon ta copëzojë misterin dhe
injoron krejtësisht shkëndijën trashendentale në të – Benedikti XVI e sheh tek skribët,
që u tregojnë Mbretërve Dijetarë rrugën për në Betlehem, të Krishti Fëmijë. Këta,
theksoi Papa, janë specialistë të mëdhenj. Mund të thonë se ku do të lindë Mesia,
por nuk e ndjejnë shtysën për të shkuar tek Ai: “Kështu është edhe në kohën
tonë, gjatë dyqind vjetëve të fundit, vërejmë të njëjtën gjë. Ka shumë të mençur,
shumë specialistë, teologë të mëdhenj e profesorë të fesë, që na kanë mësuar shumë
gjëra. Kanë hyrë në detajet e Shkrimit Shenjt e të historisë së shëlbimit. Por nuk
kanë arritur ta shohin vetë misterin, thelbin e vërtetë të tij: që ky Jezus ishte
vërtet biri i Zotit… Mund të përmendim lehtë emra të mëdhenj të historisë së teologjisë
në këta dyqind vjet, nga të cilët kemi mësuar shumë, por zemrat e tyre nuk u hapën
ndaj misterit”. Papa kritikoi ashpër këtë mënyrë studimi, që e vendos personin
përmbi Hyjin. E kritikoi sidomos një lloj teologjie, difektet e së cilës i shpjegoi
bukur me një imazh efikas: “Peshkohet në ujrat e Shkrimit Shenjt me një rrjetë,
që lejon vetëm peshq të një mase të caktuar e kur e kapërcejnë atë, nuk mbesin në
rrjetë. Kështu, edhe misteri i madh i Jezusit, i Birit të bërë njeri, reduktohet në
Jezusin historik, që i paraqitur në këtë mënyrë, është me të vërtetë një figurë tragjike,
një fantazëm me mish e gjak, dikush që ka mbetur në varr, që është tretur, që është
me të vërtetë i vdekur”. Por historia e Kishës është e pasur me burra e gra
të aftë ta njohin vogëlsinë e tyre para madhështisë së Zotit, të aftë për të qenë
të përvujtë e për këtë arësye të arrijnë te e vërteta. E nga kjo aradhe e madhe, Benedikti
XVI përmendi disa emra: “Nga Bernardetë Subiru te shën Tereza e Liziësë, me
një lexim të ri të Shkrimit Shenjt, jo shkencor, por duke hyrë në zemrën e Shkrimit
Shenjt, deri te shenjtorët e të lumët e kohës sonë: motër Bakita, Nënë Tereza, Damian
de Vëster. Mund të përmendim shumë”. Kjo është një kategori të vegjëlish,
që janë edhe të mençur, edhe doktorë e profesorë, modele frymëzimi, pasi na ndihmojnë
të jemi teologë të vërtetë, të cilët misteri i Krishtit i prek deri thellë në zemër.
Ashtu siç ndodhi me Zojën, apo me shën Gjonin, apo me centurionin nën Kryq. E më tej,
shën Pali, që me jetën e tij përmbledh simbolikisht kalimin nga dija e rreme në atë
të vërtetë: “Kështu, edhe pas ringjalljes, Zoti, në rrugën për Damask, prek
zemrën e Saulit, një nga dijetarët që s’shohin. Ai vetë, në letrën e parë drejtuar
Timoteut, e quan veten injorant në atë kohë, pavarësisht nga shkenca që njihte. Por
Zoti i gjallë e prek. Bëhet i verbër e sheh me të vërtetë. Fillon të shohë. E doktori
i madh bëhet i vogël e vetëm kështu sheh se Zoti është urti, dituria më e madhe se
të gjitha dijet njerëzore”. Punimet e Komisionit Teologjik Ndërkombëtar, kryesuar
nga kardinali Uiliam Levada, do të vazhdojnë në Vatikan deri të premten. Metodologjia
e studimeve teologjike është një nga temat që po diskutohen.