2009-12-01 16:15:18

BE: Sot hyri në fuqi Traktati i Lisbonës.


(01.12.2009 RV)Duke filluar nga dita e sotme, me hyrjen në fuqi të Traktatit të Lisbonës, Bashkimi Evropian do të ketë presidentin e vet të përhershëm dhe ministren e parë të punëve të jashtme. Ata janë ish-kryeministri belg Herman Van Rompy, 62 vjeç dhe ish-komisarja për tregtinë e jashtme, Katerinë Ashton, 53 vjeçe. Në një deklaratë presidenti i Komisionit Evropian Hoze Manuel Barrozo nënvizoi se zbatimi i Traktatit të Lisbonës do të përmirësojë veprimtarinë e BE dhe do ta bëjë Evropën më shumë të dukshme në arenën ndërkombëtare. Falë këtij Traktati - shtoi Barrozo, - Evropa do të jetë më e përgatitur për t’iu përgjigjur problemeve në sektorin e energjisë dhe në atë të ndryshimeve klimatike; për kriminalitetin ndërkufitar dhe emigracionin.

Lisbona po e feston sonte me një ceremoni të shkurtër dhe me fishekzjarre hyrjen në fuqi të Traktatit që mban emrin e saj. Pikërisht me hyrjen në fuqi të këtij traktati Evropa do të reformojë institucionet e veta dhe funksionimin e tyre. Me të parlamenti evropian që është i vetmi organ që zgjidhet drejtëpërdrejt nga votuesit, do t’i forcojë shumë kompetencat e veta. Për shembull do të ketë kompetenca të padiskutueshme për bujqësinë, emigracionin, bilancin, fondin struktural, që deri më sot kanë qenë jashtë sferave të kompetencave të tij. Por si do të jetë Evropa me 27 vendet anëtare? Në mikrofonin tonë flet prof. Vinçenco Buonomo, Docent i së Drejtës Ndërkombëtare pranë Universitetit Papnor Lateranens:

Përgjigje: Sigurisht është një Evropë që do të përpiqet t’i përforcojë cilësitë e veta operative jo vetëm përsa i përket efikasitetit por edhe rezultateve konkrete që kanë të bëjnë me të gjithë qytetarët. Kjo është një Evropë që ka nevojë të kalojë nëpër shumë faza, që të bëhet përnjëmend një sistem i integruar. Nuk jemi përballë një Evrope federale, siç kishte parashikuar Kushtetuta e nënshkruar në Romë më 2004, por jemi përballë një procesi ndërqeveritar që është më shumë i integruar. Disa faktorë bien në sy menjëherë. E kam fjalën për figurën e Presidentit të Këshillit Evropian që do të qëndrojë në detyrë dy vjet e gjysmë dhe jo gjashtë muaj, si dhe për Përfaqësuesen e Lartë të Politikës së jashtme të përbashkët ndonëse kjo gjë mbetet ende në duart e shteteve anëtare, ngaqë nuk ka akoma një shkrirje të plotë të kompetencave të Bashkimit në këtë pikë.

Pyetje: Pikërisht në këtë pikë ka ende shumë çështje të rëndësishme që mbeten kompetencë e secilit prej shteteve. Pse nuk është ecur përpara në këtë drejtim?

Përgjigje: Unë besoj se shtetet anëtare, me shumë realizëm, kanë vën re se jemi ende shumë larg nga idea e një Federate të Shteteve Evropiane. Secili e ruan me xhelozi sferën e vet të sovranitetit, dhe kuptohet edhe atë të vendim-marrjes.







All the contents on this site are copyrighted ©.