Rubrika “Shtigjeve të Krishtlindjes”: Koha e Ardhjes, kohë liturgjike e pranisë dhe
e pritjes së Amshimit.
(30.11.2009 RV)Në sa kudo nis të
ndjehet atmosfera e përgatitjes për ta pritur në zemra ardhjen e Krishtit Fëmijë,
ju ftojmë përsëri të ecim së bashku ‘Shtigjeve të Krishtlindjes’. Në Emisionin
e parë të Rubrikës kushtuar Kohës së Ardhjes, që nisi dje, do të flasim për kuptimin
e kësaj kohe liturgjike, në të cilën ndjehet fort prania e pritja e Amshimit.
Ardhja
është kohë e pranisë dhe e pritjes së Amshimit, e prandaj , kohë që e mbush shpirtin
me atë gëzim, të cilin s’ka vuajtje që mund ta shlyejë. Ardhje domethënë prani, arritje,
takim. Term teknik, që vjen nga lashtësia, na kujton lidhjen tonë me Jezusin, vizitën
e Zotit në zemrat tona, në shtëpitë tona, në vatrat tona familjare. Zoti vjen për
të na ngushëlluar, për të na siguruar se nuk na le kurrë vetëm, se mund ta shikojmë,
mund ta prekim, mund ta takojmë në një mijë mënyra. Sepse ai vjen në një mijë mënyra.
Hyn në jetën tonë. Na flet. E pret t’i përgjigjemi. Po ne, a e gjejmë gjithnjë kohën
e duhur për ta pritur? A gjejmë kohë për takimin me Të? Apo ia kushtojmë gjithë kohën
andrrallave tona njerëzore? Dëshirës për të fituar sa më shumë? Për të zënë vendin
e parë kudo shkelim? Për t’u dëfryer me të gjitha mjetet e mënyrat, që na ofron jeta?
Të cilat më shpesh na trondisin, sesa na gëzojnë? Koha e fortë, që sapo nisëm,
na fton të ecim në rrugë të tjera, të shtrojmë shtigje të tjera, të kuptojmë shenjat
e pranisë së Zotit në jetën tonë, ditë për ditë! Është kohë për ta kundruar Krishtin
në të sotmen, por edhe kohë e pritjes, kohë e shpresës, që na nxit të rrokim kuptimin
e jetës e të historisë; rast i favorshëm për shëlbimin tonë. Gjithë jeta e njeriut
është pritje, por arrin një çast kur e kupton se ka shpresuar tepër pak e se s’i mbetet
tjetër shpresë, veç asaj të profesionit a të shkallës shoqërore, ku është ngjitur,
jo pa mundime. E megjithatë njerëzimi, shpesh i pasigurtë, vijon të shpresojë
në diçka, në dikë! Ndërsa i krishteri shpreson me sigurinë se Zoti është i pranishëm
në rrjedhën e jetës së tij, e shoqëron hap pas hapi e një ditë do t’ia terë përgjithmonë
lotët. Një ditë, jo të largët, gjithçka do të gjejë cakun e fundmë në Mbretërinë e
Hyjit, Mbretëri e drejtësisë e e paqes. Por ka mënyra e mënyra të prituri: Koha
e Ardhjes na fton ta jetojmë thellësisht të sotmen, e cila është plot me dhuratat
e Zotit. E dhurata kryesore është Krishti Fëmijë, që vjen përsëri mes nesh në shpellën
e varfër të Betlehemit e na flet në mënyra nga më të ndryshmet: në Shkrimin Shenjt,
në vitin liturgjik, në jetët e shenjtorëve, në ngjarjet e përditshme, në mbarë krijimin,
që në praninë e Tij mbushet me dritë. Ai na flet e ne mund t’i pëgjigjemi. Mund
t’i flasim për vuajtjet tona, për shqetësimet tona, që nuk mungojnë. Me sigurinë se
ai na dëgjon çdo çast e se me Të mund të shpresojmë, edhe atëherë kur e përpjeta bëhet
tejet e mundimshme.