2009-11-30 18:04:20

Monumente të ndriçuara në 1200 qytete kundër dënimit me vdekje


(30.11.2009 RV)RealAudioMP3 Si çdo 30 nëntor, edhe sot, Bashkësia e Shën Egjidit promovoi në 1200 qytete të globit, “Ditën botërore të qyteteve për jetën/ Qytetet kundër dënimit me vdekje”. Në edicionin e saj të tetë, fushata merr gjithnjë e më tepër miratimin e qeverive, shoqatave dhe eksponentëve të shoqërisë civile. Qytetet që marrin pjesë në të ndriçuan sot një monument simbol për të deklaruar refuzimin e tyre ndaj dënimit me vdekje me moton “S’ka drejtësi pa jetë”. Mbi domethënien e kësaj dite, të dëgjojmë zëdhënësin e Bashkësisë së Shën Egjidit, Mario Maraciti:
Që nga vitet ’70 kemi kaluar nga 23 në rreth 140 vende, që e kanë hequr dënimin me vdekje. Tashmë, dënimi me vdekje fillon të mbetet në të kaluarën e historisë së njerëzimit. Është tmerrësisht i pranishëm në vende si Irani, Kina, Arabia Saudite, Egjipti e në disa shtete të SHBA-ve, por duhet thënë se po bën hapa mbrapa si ideologji. Mendoj se rezoluta e miratuar nga Asambleja e përgjithshme e OKB-së ka theksuar një parim themelor: ky është një problem të drejtash njerëzore, që i intereson krejt bashkësisë ndërkombëtare.
Më 30 nëntor 1786, pra 223 vjet më parë, qe Grandukati i Toskanës në Itali, ai që e hoqi për herë të parë dënimin me vdekje nga sistemi i vet juridik. Ja përse u caktua kjo datë për fushatën ndërkombëtare. Por jo të gjitha vendet e kanë hequr dënimin me vdekje e nganjëherë opinioni publik mendon se ai duhet në disa raste…
Në asnjë vend të botës nuk ekzistojnë statistika që të tregojnë se dënimi me vdekje e ka ulur numrin e krimeve të rënda. Përkundrazi, është rasti i Kanadasë, ku që kur është hequr dënimi me vdekje, numri i krimeve të rënda është ulur me 25%. Në SHBA-të, të cilat e kanë ruajtur dënimin me vdekje, numri i vrasjeve është rritur që me rivendosjen e tij. A shërben për t’i frikësuar kriminelët, edhe ky është një argument akademik krejtësisht i paverifikueshëm; se i shton vdekjen vdekjes, kjo është e sigurtë; se priret të përfshijë krejt shoqërinë, e cila kthehet në bashkëfajtore për vrasjen e personave, edhe këtë s’mund ta mohojmë; që reduktohet dhuna, edhe këtë deri tani, nuk e ka treguar askush me fakte. Prandaj, mendoj se duhet t’i ndihmojmë shoqëritë tona të bëjnë hapin që mungon për ta eliminuar krejtësisht dënimin me vdekje.







All the contents on this site are copyrighted ©.