2009-11-28 15:57:48

Papa përkujton 25 vjetorin e paqes ndërmjet Argjentinës e Kilit, ndërmjetësuar nga Gjon Pali II: një shembull si të shmangen barabaritë e luftës


(28.11.2009 RV)RealAudioMP3 Në Pallatin Apostolik u zhvillua paradite një përkujtim i rëndësishëm. Duke pritur në audiencë presidentet e Argjentinës e të Kilit, Kristina Fernàndez de Kirshner dhe Mishelë Bashëlè, Benedikti XVI kujtoi 25 vjetët që kanë kaluar nga ndërmjetësimi historik i Papës Gjon Pali II, i cili, në vitin 1978, arriti të shmangte konfliktin e armatosur ndërmjet dy shteteve. Ata kishin divergjenca për sovranitetin mbi një hapësirë detare strategjike për kalimin nga Oqeani Atlantik në atë Paqësor, divergjenca që zgjasnin prej 100 vjetësh. Nënshkrimi i dokumentit zyrtar, më 1984, njohu sovranitetin e Kilit mbi atë copë deti. Ja si e kujtoi Papa Benedikti XVI:
“Traktati i Paqes dhe i Miqësisë si edhe ndërmjetësimi që e bëri atë të mundur, është i lidhur pazgjidhshmërisht me figurën e dashur të Gjon Palit II, i cili, i shtyrë nga ndjenjat e miqësisë për ato kombe e në vijim të punës së tij të palodhur si lajmëtar e protagonist i paqes, nuk hezitoi të pranonte detyrën delikate e të rëndësishme të ndërmjetësimit në këtë konflikt”.
Një detyrë, që Papa Gjon Pali II e kreu me sukses, falë edhe ndihmës së personaliteteve të tjera kishtare, ndërmjet të cilëve Benedikti XVI kujtoi kardinalin Samoré dhe sekretarin e atëhershëm të Shtetit të Vatikanit, kardinalin Agostino Kazaroli. E nënshkrimi i Traktatit të Paqes e të Miqësisë nuk ka vlerë vetëm për atëherë, e vetëm për Kilin e Argjentinën, por, shtoi Papa:
“…është shembull i ndritshëm i forcës së shpirtit njerëzor e të dëshirës për paqe kundër barbarive dhe çmendurisë së dhunës e të luftës, si mjet për të zgjidhur divergjencat… Prandaj, është e rëndësishme, që në çdo moment, të vazhdohen me vullnet e deri në fund përpjekjet për të zgjidhur konfliktet, me një dëshirë të vërtetë për dialog e marrëveshje, përmes bisedimeve plot durim e impenjimeve të nevojshme, duke marrë parasysh rivendikimet e drejta dhe interesat e ligjshme të të gjithëve”.
Kjo është e mundur, pohoi Papa, vetëm nëse përgjegjësit e politikës e të kombeve mbështeten mbi bindje të forta morale, karakterizohen nga qetësia e shpirtit e nga kërkimi i vazhdueshëm i së mirës së përbashkët kombëtare, rajonale dhe botërore:
“Arritja e paqes, në të vërtetë, parashikon promovimin e një kulture të vërtetë të jetës, që të respektojë dinjitetin e njeriut në tërësinë e tij, bashkuar me forcimin e familjes si celula themelore e shoqërisë. Kërkon edhe luftën kundër varfërisë e korrupsionit, mundësinë për arsimimin cilësor për të gjithë, mbështetjen e rritjes ekonomike, konsolidimin e demokracisë dhe zhdukjen e dhunës e të shfrytëzimit, në veçanti kundër grave e fëmijëve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.