2009-11-28 15:57:59

Kujtesë e shpresë për paqen: editoriali i atë Federiko Lombardit


(28.11.2009 RV)RealAudioMP3 Papa Benedikti XVI priti në audiencë presidentet e Kilit, Mishelë Bashelé Zheria dhe të Argjentinës, Kristina Fernàndez de Kirshner, për të kremtuar 25-vjetorin e Traktatit të Paqes dhe të Miqësisë ndërmjet dy vendeve, gjashtë vjet pas ndërmjetësimit papnor, i cili shmangu konfliktin ndërmjet dy shteteve amerikanojugorë. Kësaj teme i kushtohet editoriali i sotëm i zëdhënësit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, drejtor i përgjithshëm i Radio Vatikanit. Ta dëgjojmë:
“Falenderojmë për dhuratën e paqes. Mesazh besimi në mundësinë për ta ndërtuar me dialogun plot durim, kundër mosbesimit e tundimit për të përdorur forcën. Një ngjarje shumë domethënëse dhe e rëndësishme vizita në Vatikan e presidenteve të Argjentinës e të Kilit në 25-vjetorin e nënshkrimit të Traktatit të paqes e të miqësisë ndërmjet dy vendeve, falë ndërmjetësimit të Selisë së Shenjtë.
“Para çdo lloj problemi, duhet të fitojmë gjithnjë mbi dëshpërimin e të mos e konsiderojmë kurrë të mbyllur rrugën e dialogut dhe të bisedimeve, që duhen bërë me mençuri e me kujdes për të arritur në një zgjidhje të drejtë e të denjë me mjete paqësore”. Kështu u shkruante një vit më parë Benedikti XVI dy presidenteve, 30 vjet pas fillimit të ndërmjetësimit delikat, dëshiruar nga Gjon Pali II kur Argjentina dhe Kili ndodheshin një hap larg konfliktit të armatosur, për shkak të mosmarrëveshjeve për territoret jashtë vendit. E Papa vërente se suksesi i pesë vjetëve të gjata të bisedimeve qe për botën “një surprizë e këndshme dhe e papritur”, por edhe një “shembull”.
Nëse kjo ka qenë e mundur një herë, pse të mos jetë akoma? Sigurisht, kishim të bënim me dy vende ku shumica është katolike, të gatshëm të pranonin ndërmjetësimin e Selisë së Shenjtë. Por mesazhi ishte më i përgjithshëm: “Qe një leksion praktik e bindës – thoshte Gjon Pali II në vitin 1987 – që njerëzit dhe kombet, nëse duan vërtet, mund të bashkëjetojnë në paqe, duke bërë që të mbizotërojë forca e arsyes mbi arsyet e forcës. Qe konfirmimi se historia nuk karakterizohet nga impulse të verbëra, por varet sidomos nga ngjarjet e së ardhmes, nga vendimet e drejta e me përgjegjësi që merren lirisht nga njerëzit”. Të vazhdojmë pra të ndërtojmë rrugët e dialogut e të paqes. Kudo, ka nevojë urgjente e dramatike për to”.







All the contents on this site are copyrighted ©.