2009-11-28 09:22:29

28 nëntor 1912 - 2009 SHQIPËRIA 97 vjet e pavarur.


Më 28 nëntor Shqipëria feston 97 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Sipas të dhënave historike për të arritur deri në këtë moment të rëndësishëm për kombin tonë, u deshën shumë përpjekje të atdhetarëve shqiptarë. Përpjekje që finalizuan në 28 Nëntor të vitit 1912, me ngritjen e Flamurit Kombëtar në Vlorë nga patrioti i madh Ismail Qemali.
Dëshmi historike
Bazuar në dokumentacionin historik në vitin 1912, situata në Ballkan ishte mjaft e trazuar, për shkak të ngjarjeve që po ndodhnin njëra pas tjetrës. Ndërkohë, Perandoria Turke po përjetonte një krizë të gjithanshme. Në 11 janar të atij viti, patrioti Hasan Prishtina paralajmëroi në parlamentin turk për një kryengritje të re në Shqipëri, po të mos plotësoheshin kërkesat shqiptare.
Në 18 janar xhonturqit shpërndanë parlamentin dhe shpallën zgjedhjet e reja. Në 13 mars u nënshkrua marrëveshja serbo-bullgare, mbi bazën e së cilës u formua 'Aleanca Ballkanike'. Një muaj më vonë shpërtheu kryengritja kundër xhonturqve në Malësinë e Gjakovës, ndërsa në 21-25 maj, zhvilloi punimet Kuvendi i Junikut, i cili hartoi programin e autonomisë të kryengritjes së përgjithshme.
Ndërkohë, në maj kryengritja kundër xhonturqve u shtri në zonën e Pejës, të Lumës, të Mirditës e të Zadrimës. Në fillim të muajit qershor, forcat kryengritëse të udhëhequra nga Bajram Curri, shpartalluan forcat turke në Qafën e Prushit. Në 28-29 qershor kryengritësit, të udhëhequr nga Isa Boletini, shpartalluan batalionet turke tek Ura e Senicës. Brenda këtij muaji kryengritësit shqiptarë zhvilluan luftime me forcat turke në zonën e Prishtinës, të Pazarit të Ri dhe të Vuçitërnës, ndërkohë që në 4 korrik morën Krujën dhe në 17 korrik hynë në Gjakovë.
Në të njëjtën datë, kryengritja shqiptare e detyroi qeverinë xhonturke të Said Pashës të jepte dorëheqjen. Në datën 5 gusht, sulltani shpërndau Parlamentin dhe dekretoi zgjedhjet e reja. Ndërkohë, pas këtyre zhvillimeve të vrullshme, që u pasuan edhe me ngjarje të tjera, në 8 tetor Mali i Zi i shpalli luftë Turqisë dhe në 17 dhe 18 tetor, të njëjtën gjë bënë edhe Serbia dhe Turqia, gjë që shënoi edhe fillimin e luftës ballkanike.
Në tërësi, kjo luftë drejtohej kundër Turqisë, por në një moment të caktuar të zhvillimit të saj, fqinjët kthyen sytë nga Shqipëria, duke synuar copëtimin e saj. Fitoret e shteteve ballkanike ndaj Turqisë, i detyruan Fuqitë e Mëdha të rishikonin vendimin e tyre për të mos lejuar ndryshimet territoriale në Ballkan, në favor të interesave të aleatëve ballkanikë.
Në rrethana të tilla, patriotët shqiptarë që ndodheshin jashtë atdheut vendosën të ndërmerrnin një veprim të ri politik, me synimin për të parandaluar dhe për të mos lejuar copëtimin e Shqipërisë. Gjithashtu, do të synohej ruajtja e tërësisë tokësore, duke u mbledhur një kuvend kombëtar ku do të vendosej për fatin e saj.
Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi u nisën nga Stambolli dhe arritën në Bukuresht, ku më 5 nëntor 1912 organizuan mbledhjen e kolonisë shqiptare. Këtu u vendos të krijohej një Komitet Drejtues, të krijohej një komision që do të shkonte në kancelaritë europiane, për të mbrojtuar përpara qeverive të Fuqive të Mëdha, të drejtat e kombit shqiptar. Ndërkohë, komiteti i Bukureshtit do të koordinonte veprimtaritë e komiteteve brenda e jashtë Shqipërisë. Por në këtë mbledhje nuk u përcaktua me saktësi në se do të ishte autonomia, apo pavarësia synimi i afërt. Pjesë e përpjekjeve diplomatike ishin dhe takimet që Ismail Qemali zhvilloi në Vjenë me kontin Berthold dhe ambasadorin italian.
Ismail Qemali u njoftua për lëvizjen që kishte filluar në Shqipëri, e cila kishte të bënte me mbledhjen e një kuvendi kombëtar. Ndërkohë, ushtria osmane në Ballkan ishte shpartalluar në të gjitha frontet dhe trupat serbe, malazeze e greke kishin hyrë thellë në tokën shqiptare. Në këto kushte, grupi i atdhetarëve, i kryesuar nga Ismail Qemali, vlerësoi se e vetmja zgjidhje e drejtë e çështjes shqiptare ishte ajo e shpalljes së pavarësisë.
Në 19 nëntor, Ismail Qemali do të deklaronte nga Trieste, gjatë rrugës për në Shqipëri, se, menjëherë pas mbërritjes së tij në Shqipëri do të shpallej pavarësia e Shqipërisë dhe do të zgjidhej qeveria e përkohshme. Ideja e pavarësisë së Shqipërisë dhe lajmi i mbledhjes së kuvendit kombëtar u pritën me entuziazëm në Shqipëri, ku ndërkohë lëvizja atdhetare po përgatiste rrethanat.
I shoqëruar nga patriotë të tjerë, Ismail Qemali me shokë arriti në Durrës dhe së bashku me delegatët nga ky qytet, Shijaku, Tirana dhe Kruja, u nisën për në Vlorë.
Në Fier u bashkuan me një pjesë të delegatëve nga Kosova dhe në 25 nëntor arritën në Vlorë. Menjëherë nisën përpjekjet për organizimin e forcave të armatosura, duke ngritur një komision të posaçëm dhe bashkëpunimin me pleqësitë e fshatrave, për mobilizimin e njerëzve të aftë për të luftuar. Kjo, u diktua edhe nga keqësimi i rrethanave, për shkak të përparimit të ushtrisë serbe në territorin shqiptar. Ndërkohë, flamuri kombëtar ishte ngritur në Elbasan, Durrës, Tiranë, Kavajë, Peqin e Lushnjë.

Ngritja e Flamurit në Vlorë
Në rrethana të tilla, delegatët që ndodheshin në Vlorë vlerësuan se duheshin përshpejtuar procedurat për ngritjen e Flamurit dhe shpalljen e pavarësisë kombëtare. Në mbrëmjen e datës 27 nëntor u vendos që të nesërmen të mblidhej Kuvendi Kombëtar, megjithëse, nuk kishin arritur ende mjaft delegatë nga trevat e ndryshme të Shqipërisë. Sipas historianëve dhe dokumenteve të kohës, Kuvendi Kombëtar i çeli punimet në orën 15:30 të ditës së nesërme.
Në të morën pjesë 37 delegatë, të cilët u shtuan më pas deri në 63 vetë dhe përfaqësonin të gjitha viset shqiptare, duke qenë në një masë të madhe udhëheqës dhe aktivistë të lëvizjes atdhetare. Mes tyre, ndodheshin Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Murat Toptani, Lef Nosi, Mithat Frashëri, Patër Anton Harapi, Sali Gjuka, Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Vehbi Agolli, Dhimitër Zografi, Nikollë Kaçorri, Jani Minga, Abdi Toptani, Pandeli Cale, Dudë Karbunara, Mehmet Dëralla, Hasan Hysen Budakova, Ajdin Draga, Sherif Dibra, Dhimitër Mborja, Shefqet Daiu, Rexhep Ademi, Dhimitër Berati, Kristo Meksi, Xhelal Koprëncka, Iljaz Vrioni, Hajredin Cakrani, Shefqet Vërlaci, etj.
Kuvendi zgjodhi si kryetar Ismail Qemalin, i cili nënvizoi në fjalën e tij se "në kushtet e krijuara, e vetmja rrugë për shpëtimin e atdheut, ishte ndarja e Shqipërisë nga Turqia dhe shpallja e pavarësisë". Ky propozim u miratua unanimisht nga delegatët që nënshkruan edhe dokumentin e pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë dokument theksohej mes të tjerash se ".Shqipëria sot, të bëhet më vehte, e lirë, e mosvarme". Në këtë kuvend u krijua edhe Qeveria e Përkohshme, si dhe u emërua Pleqësia ose Senati. Këto propozime u miratuan njëzëri nga Kuvendi Kombëtar.
Menjëherë pas kësaj, u shpall Qeveria e Përkohshme, si dhe u zgjodhën anëtarët e senatit, i përbërë nga 18 anëtarë, me kryetar patriotin Vehbi Dibra. Në përbërjen e qeverisë dhe të senatit u zgjodhën njerëz me kontribut të spikatur atdhetar dhe përfaqësues të të gjitha trevave e të tri besimeve fetare. Procedurat e mëtejshme vazhduan me nënshkrimin e aktit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare nga të gjithë delegatët.
Në orën 17:30 të datës 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali doli në ballkonin e godinës ku u mbajt Kuvendi dhe njoftoi Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare, duke ngritur Flamurin Kombëtar. Me aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali, njoftoi gjashtë Fuqitë e Mëdha, Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë. Po ashtu u njoftuan edhe shtetet ballkanike, Rumania, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria, Greqia e Turqia, duke u kërkuar njohjen e pavarësisë, si rrjedhojë e natyrshme e vullnetit të popullit shqiptar.
Në përbërjen e Qeverisë së Përkohshme përfshihej Ismail Qemali, Kryeministër dhe Ministër i Jashtëm, Petro Poga, Ministër i Drejtësisë, Myfid Libohova, Ministër i Brendshëm, Abdi Toptani, Ministër i Financave, Luigj Gurakuqi, Ministër i Arsimit, Mithat Frashëri, Ministër i Punëve Botore, Lef Nosi, Ministër i Posttelegrafës.
Akti i shpalljes së pavarësisë u përshëndet nga populli i mbledhur në shesh, ndërkohë që patriotët Jani Minga e Murat Toptani, mbanin fjalime gjatë manifestimeve në rrugët e qytetit.
Sipas dëshmive historike, Isa Boletini mbërriti në Vlorë, një ditë pas shpalljes së pavarësisë, në krye të 400 luftëtarëve të gatshëm të mbronin qeverinë dhe tërësinë territoriale. Trupat e komanduara nga Isa Boletini u vendosën në dy pozicione në lagjet Muradie dhe Topana. Madje, në përkujtim të kësaj, bashkia e qytetit të Vlorës, i vendosi emrin e Boletinit, një rruge të lagjes "Topana", e cila vazhdon të njihet me këtë emër edhe sot.
Pas largimit të tij nga Vlora, Isa Boletini la në shërbim të qeverisë së Ismail Qemalit, 25 burra nga Kosova, të cilët qëndruan në Vlorë deri në vitin 1925. Ata i shërbyen qeverisë së përkohshme dhe më pas, vendosjes së rendit, ndërkohë që ishin akomoduar në një godinë dy katëshe, në afërsi të sarajeve të familjes Vlora, e cila nga vlonjatët e vjetër është njohur ndryshe dhe si "shtëpia e kosovarëve". Aktiviteti i qeverisë së Përkohshme, mbrohej e garantohej nga forcat e sigurisë, të cilat ishin ndarë në toga, me komandantët përkatës, me 32 luftëtarë secila. Mes tyre, spikasnin togat e komanduara nga Ahmet Lepenica, Ahmet Muka, Tol Arapi, Azis Cami, Thanas Beni, Cen Sharra. Ndërkohë, shef protokolli ishte Hasan Sharra.
Dokumenti origjinal i Aktit të Shpalljes së Pavarësisë, u ruajt në mjediset e Muzeut të Pavarësisë, që si edhe sot, funksionon në të njëjtën godinë. Më pas në vitin 1937, sipas historianëve ajo u zhduk. Një kopje origjinale të saj, e ruajti Lef Nosi, ish- Ministër i Postë Telegrafës, i cili sipas, studiuesit Agim Hametaj, e ruajti deri vonë, duke mos e dorëzuar tek Sigurimi i Shtetit që e kërkonte atë me ngulm. nga ATSH-ja







All the contents on this site are copyrighted ©.