2009-11-27 17:55:54

Në 25-vjetorin e Traktatit të paqes e të miqësisë ndërmjet Kilit e Argjentinës, imzot Tomazi flet për aftësinë e ndërmjetësimit të Selisë së Shenjtë në botën e sotme.


(27.11.2009 RV)Benedikti XVI do të presë nesër në audiencë, presidentes së Kilit, Mishelë Bashele Zheria e atë të Argjentinës, Kristina Fernandez de Kirshener, për të kremtuar 25–vjetorin e Traktatit të paqes dhe të miqësisë ndërmjet dy vendeve, gjashtë vjet pas ndërmjetësimit papnor, që i dha fund konfliktit ndërmjet dy shteteve jugamerikane. Pyetëm kryeipeshkvin Silvano Maria Tomazi, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Zyrës së OKB-së të Gjenevës, lidhur me ndihmën që mund t’i japë Kisha botës së sotme për zgjedhjen e rrugës së dialogut:

Përgjigje: - Vlera ndihmëse që mund të japë Selia e Shenjtë është kryesisht vizioni i njeriut, që kapërcen kufijtë e shteteve e kufijtë e interesave, duke i hapur rrugën solidaritetit dhe dëshirës për të pranuar se të gjithë njerëzit janë anëtarë të së njëjtes familje njerëzore. Kemi të bëjmë, pra, me një mesazh solidariteti, që buron nga mësimet e Doktrinës shoqërore të Kishës, nga sjellja e Kishave, edhe atyre vendase, të cilat përpiqen gjithnjë të ngrihen përmbi vetveten, për ta zgjeruar frymëmarrjen, duke përfshirë në gjirin e vet, gjithë familjen njerëzore. E ky është edhe burimi, që e bën të besueshme Kishën e Selinë e Shenjtë, kur ndërhyn për zgjidhjen e situatave të vështira. Sipas meje, është edhe një aspekt tjetër, që duhet ta kemi parasysh, kur flitet për aftësinë e ndërmjetësimit të Selisë së Shenjtë. Është puna që bëjnë ditë për ditë nunciaturat apostolike në kontekstin ndërkombëtar. Pra, mund të themi se roli kryesor i pranisë së Selisë së Shenjtë, është ai i mbrojtjes së dinjitetit të njeriut. Pikënisje kjo, një lloj platforme, mbi të cilën mbahet e gjithë ndërtesa e marrëdhënieve ndërkombëtare.







All the contents on this site are copyrighted ©.