2009-11-27 17:57:11

Kriza e Perëndimit e ballafaqimi me Lindjen


(27.11.2009 RV)RealAudioMP3 Kriza e Perëndimit lind ngaqë ai nuk e njeh mirë kulturën e Lindjes. Vetëm përmes dialogut ndërmjet këtyre dy qytetërimeve do të jetë i mundur krijimi i një botë të re me shpresa të mëdha e me mundësi të jashtëzakonshme. Ky qe thelbi i takimit të djeshëm mbi temën “Kriza e Perëndimit? Dritëhijet e një ideje”, i cili u mbajt në Romë, promovuar nga Zyra dioqezane për baritorinë e universitarëve. Por mbi këtë temë të dëgjojmë filozofin Franko Kardini, pedagog në Universitetin e Firences:
Perëndim është sinonim i modernitetit, madje, Perëndimi është vetë moderniteti. Në këtë moment jemi në prag të një përmase të re. Perëndimi konsiderohej modern, pasi kishte hequr dorë nga feja, por u pa qartë se fetë kishin gjallërinë e tyre, se po rilindin e prandaj e kemi kapërcyer kufirin e Perëndimit modern. Duhet të gjejmë një ekuilibër të ri. Këto lloj ekuilibrash i kanë quajtur post-moderne, ose në njëmijë mënyra të tjera, por akoma po i kërkojmë.
Sipas jush cilat janë vlerat që Perëndimi ka arritur të eksportojë? E ku ka dështuar?
Perëndimi ka eksportuar kryesisht vlera shkencore, vlera teknologjike e modele politike, e madje, i ka shitur ato shtrenjtë, pasi ka shfrytëzuar ekonomitë, ka dominuar si kolonialist… Natyrisht, ka eksportuar edhe një tharm të rëndësishëm, që është tharmi i lirisë, i të drejtave të njeriut. Por ato u kthyen kundër Perëndimit, pasi ai vetë nuk i respektonte i pari në këto vende. Nga ana tjetër, Perëndimi nuk ka rritur të japë një vizion autonom e të qëndrueshëm të botës, pasi la mënjanë krishterimin, por nuk arriti të krijonte një shoqëri krejtësisht laike. Post-modernizmi karakaterizohet nga kundërshtimi i këtij mënjanimi, nga dështimi i procesit të shekullarizimit. Tani që jemi të rrethuar nga fondamentalistë, shohim qartë se edhe ky projekt i Perëndimit ka dështuar. Pra, Perëndimi ka hedhur farën e mirë të lirisë, por e ka bërë këtë me detyrim, duke shtypur e shfrytëzuar të tjerët. Pikërisht nga kjo përpiqen të çlirohen tani popujt e tjerë e unë mendoj, se edhe nëse Perëndimi do të vdesë, qytetërimi nuk humbet. Do të kalojmë në një ekuilibër të ri…
Sipas jush, në ç’mënyrë mund të ndihmojë krishterimi për kapërcimin e këtij momenti tranzicioni?
Shikoni se momenti i tranzicionit varet nga shumë çështje, nga shumë rrethana e marrëdhënie; por njëra është themelore: padrejtësia që mbretëron e pashqetësuar në botë. Një botë, ku 90% e popullsisë, pra rreth 5 miliard jeton nën pragun e mbijetesës, ndërsa pasuria është e përqëndruar në shumë pak duar e vetëm një miliard persona gëzojnë, në një mënyrë jo të barabartë, frytet e kësaj pasurie. Krishterimi e jo vetëm ai, por edhe fetë e tjera, kanë atë ngarkesë humanizmi, bamirësie, altruizmi, që sot është e nevojshme, pasi fundi i Perëndimit është edhe fundi i një sistemi, që e vishte padrejtësinë me rroben e lirisë, duke harruar se liria e të paktëve përkon me jo-lirinë e të shumtëve e, se nuk ekziston vetëm “liria e…” – liria e mendimit, liria e fjalës, liria e krijimit të shoqatave – por ekziston edhe një “liri nga…”: liria nga uria, liria nga frika, liria nga sëmundja. Të gjitha këto liri, sistemi hegjemonist i Perëndimit – megjithëse jo krejtësisht – i ka mohuar ose nënvlerësuar për 80% të botës.







All the contents on this site are copyrighted ©.