2009-11-27 17:53:08

Kardinali Toran: Indonezia, shembull i mirë i dialogut ndërfetar, por duhet krijuar mundësia për ndërtimin e kishave të reja.


(27.11.2009 RV)Kardinali Zhan-Lui Toran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, vijon një udhëtim të rëndësishëm në Indonezi, me ftesën e ipeshkvijve vendas. Vizita, që nisi më 23 nëntor e do të zgjasë deri më 2 dhjetor, u organizua në bashkëpunim të ngushtë me nunciaturën. Vijon, sipas programit, realizimi i 13 takimeve fetare e akademike me instancat myslimane të vendit. Po ashtu edhe çastet e kremtimeve me bashkësinë katolike në Xhakartë, Denpasar (Bali), Makasar (Sulavesi-Celebes) e Xhokjakartë (Javë). Sipas programit - po realizohen, njëri pas tjetrit, edhe takimet me autoritetet indoneziane: me presidentin, ministrin e jashtëm e ministrin për çështjet fetare. Kujtojmë se në Indonezi banon 22% e myslimanëve të botës.
Por, ta dëgjojmë vetë kardinalin Toran, nga Indonezia, në mikrofonin e Programit francez të Radio Vatikanit:

Përgjigje: - Ma visite a commencé par la visite de la cathédrale catholique, e ça c’est...
Vizita ime nisi në katedralen katolike. E ky ishte një gjest simbolik, sepse pak metra më tutje – mjafton të kapërcesh rrugën - është xhamia, vend kulti dhe qendër kulturore e shoqërore. E kjo, natyrisht, të kujton se duhet gjetur një formë e harmonishme bashkëjetese ndërmjet dy feve. Natyrisht është fjala për Islamin e moderuar. Vizitova tre institucione, që dëshirojnë të punojnë për paqen shoqërore, harmoninë kulturore e fetare si dhe për jetën kulturore pluraliste. Gjatë bisedimeve, u vërejtën tri bindje: së pari, bashkëbiseduesit e mi ishin dakord për nevojën e dialogut i cili, sipas tyre, duhet vijuar e duhet thelluar. Së dyti, e kjo për mua ishte diçka krejt e re, vërejta se ekziston vullneti i mirë për ta zgjeruar këtë dialog ndërfetar në Indonezi edhe me përfaqësuesit e Islamit më fondamentalist. Së treti, pastaj, të gjithë bashkëbiseduesit e mi u shprehën kundër shtetit islamik, duke uruar të vijohet ecja në rrugën e një shteti indonezian, të bazuar mbi parimet e Panchasil-ës, domethënë mbi pesë parimet, që i përkasin rrymës kulturore përfaqësuese të filozofisë së jetës politike e shoqërore indoneziane (mëshirë, ndershmëri, pastërti, sinqeritet, vetëpërmbajtje). Prandaj mund të them se ishte diçka pozitive, që më krijoi mundësinë të ndaj me miqtë, bindje të njëjta. Mund të them se Indonezia është shembull i mirë për të gjithë ata, që duan të ecin në rrugën e dialogut ndërfetar. Natyrisht, nuk i fshehëm vështirësitë, të cilat nuk mungojnë: por këto vështirësi nuk janë të pakapërcyeshme. Mund të kapërcehen përmes dialogut, posaçërisht përsa i përket mundësisë së ndërtimit të kishave të reja e të dhënies së informacionit më objektiv për fetë në shkolla.







All the contents on this site are copyrighted ©.