Atentatet në Mosul: të krishterët irakianë gjithnjë e më të braktisur
(27.11.2009 RV)Bashkësia e krishterë
irakiane vazhdon të vuajë sulmet e fondamentalistëve islamikë. Pas atentatit dramatik
të ditës së djeshme në Mosul, në të cilin u shkatërruan kisha e shën Efraimit dhe
Shtëpia e motrave domenikane të Shën Katerinës, rritet frika ndër të krishterët dhe
ndihet edhe më shumë mungesa e ndërhyrjes së bashkësisë ndërkombëtare. Të dëgjojmë
prokuratorin apostolik për kaldejtë, imzot Filip Nazhim: Të gjithë të krishterët
irakianë pyesin sot pse janë lënë vetëm, pse askush nuk mendon për ta. Aq më tepër
se kur largohen nga vendi kritikohen, sepse duan të emigrojnë në Evropë, në Amerikë,
në Australi ose në ndonjë vend tjetër. Këtu, i krishteri nuk është i mbrojtur nga
askush e Kisha lokale dobësohet ditë për ditë, pasi jeton në një shtet, që nuk arrin
të garantojë as sigurinë e vet e as sigurinë e popullit të vet. Ky popull e ka kryer
detyrën e tij kur ka zgjedhur qeverinë, kur ka treguar shpresë për një të ardhme më
të mirë e kur i ka dhënë besim këtij shteti. Më vjen habi me bashkësinë ndërkombëtare
dhe me autoritetet kompetente, që shohin se si kjo Kishë po vdes nga dita në ditë,
po derdh gjakun e vet e goditet pikërisht në vendet e saj të shenjta, në ato vende
ku adhurohet Zoti i vetëm e i gjithpushtetshëm për të gjithë popullsinë irakiane.
Askush nuk ngre as gishtin! Sa janë të krishterët që kanë mbetur në Irak e
si jetojnë ata ditë për ditë? Në të vërtetë, askush s’mund të japë një shifër
të saktë, por janë me mijëra ata që janë larguar nga Iraku e kjo ndodh çdo ditë. Flas
edhe si prokurator apostolik i kaldejve në Evropë: sot kemi 100 mijë besimtarë kalde,
vetëm të Kishës kalde, të shpërndarë në të gjitha kombet evropiane. Kisha nuk ka më
mundësi as të kryejë punën e vet baritore e s’ka as meshtarë për t’u shërbyer këtyre
besimtarëve të përhapur në Evropë. Nuk e dimë se ç’e ardhme na pret. Të krishterët
kalde jetojnë sot një situatë me të vërtetë shumë të vështirë, si në Irak, ashtu edhe
jashtë Irakut. Ndjehemi vetëm, ndjehemi me të vërtetë të braktisur.