2009-11-26 12:16:17

Sekretari i Shtetit të Vatikanit kard. Bertone flet për “Etikën e kufijve në ekonomi” në përurimin e vitit akademik të Universitetit Evropian të Romës.


(26.11.2009 RV)RealAudioMP3 “Drejt një humanizmi të ri”. Kjo qe tema e Lectio Magistralis që mbajti kardinali sekretar i shtetit Tarçizio Bertone gjatë inaugurimit të Vitit Akademik të Universitetit Evropian në Romë, hapur në vitin 2005 me katër kurse diplomimi: juridik, ekonomi, shkenca të historisë dhe shkenca teknike. Ceremonia që u hap nga rektori Atë Paolo Skarafoni ndërsa u mbyll nga ministri italian i ekonomisë Xhulio Tremonti, i cili foli mbi temën “Bota pas krizës”.
“A është i mundur sot një humanizëm i ri, që ta kthejë njeriun dhe dinjitetin e tij në qendër?”. Këtë pyetje shtroi kardinali Bertone duke përmendur historinë ekonomike të Evropës, nën dritën e enciklikës së Benediktit XVI Caritas in Veritate - Dashuria në të vërtetën.
“Sot, tha kard. Bertone, gjendemi përballë një ndryshimi epokal rrënjësor, jo vetëm për Evropën por për të gjithë familjen njerëzore, një ndryshim që karakterizohet nga “globalizimi, liberalizimi, financiarizimi i teknologjive, emigracionet globale, pabarazitë shoqërore, konfliktet identitare, rreziqet për mjedisin”.
Kriza financiare e tashme vetëm sa e bën më urgjente nevojën për një humanizëm të ri. Krizë kjo që u shkaktua, - shpjegoi më tej kardinali Bertone – nga prishja e drejtpeshimeve strukturore të ekonomisë botërore së bashku me rrënimin e bazave etike të financës, që nuk është më një instrument për favorizimin e ekonomisë reale, të mirëqenies, të zhvillimit të të gjithë njerëzve”.
Kërkesa e vazhdueshme në vendet perëndimore, duke filluar që nga vitet ’70, “për rezultate financiare sa më të shkëlqyeshme” pati pasoja në të gjithë sistemin ekonomik, derisa u bë një model kulturor në kuptimin e vërtetë të fjalës. Etika e efikasitetit lëshoi rrënjë deri në popull si kriteri më i lartë i gjykimit dhe i justifikimit të realitetit ekonomik”.
“Kështu që, ai që deri dje ishte instrument, u kthye në një qëllim.” Ja pra, si u përmbys gjithçka. “Fillojmë të pasurohemi për të qenë gjithnjë e më të pasur dhe nis të përvijohet kështu dëshira për rritjen e pacak të fitimit. Kjo është logjika shkatërrimtare e të pakufizueshmes, të asaj që s’ka caqe, të asaj që s’ka kuptim”.
Kësaj tendence, të ashtuquajturës “krijimtari” të basteve financiare, të lëvizjes spekulative të kapitaleve”, rritjes së pakufishme të rrogave të menaxherëve, politikave që nuk bashkojnë punën me prodhimin, i duhet kundërvënë “etika e caqeve”. Më tepër sesa “një rrugëdalje”, duhet të jetë një kthim i moralit, që do të thotë se individi është ai që është përgjegjës ndaj të tjerëve dhe dinjitetit të tyre, përpara se të jenë qeveritë”- e mbylli fjalimin e tij kardinali Bertone.
Në vazhdën e fjalëve sekretarit të shtetit Kardinal Bertone, nisi fjalën e tij ministri italian i ekonomisë Xhulio Tremonti, duke kujtuar se “çdo tetë sekonda në botë grumbullohet një milion dollarë, ose një milionë euro, me borxh, i cili e djeg të ardhmen e fëmijëve tanë.” Në lidhje me krizën ekonomike, që është lënë mënjanë nga ekonomia, ministri kritikoi ndihmën që shteti iu ka dhënë pa dallim të gjitha bankave “madje edhe financës që ka dalë nga binarët”.







All the contents on this site are copyrighted ©.