2009-11-26 15:44:04

Imzot Tomazi: demokracitë nuk mund ta anashkalojnë dukurinë e emigracionit. Të mbrohen të drejtat e emigrantëve e të mos shfrytëzohen.


(26.11.2009 RV)RealAudioMP3 Nuk duhen kriminalizuar emigrantët e parregullt vetëm e vetëm pse janë të tillë. Kjo është thirrja që bëri Imzot Silvano Maria Tomazi, duke folur dje gjatë sesionit të 98 të Këshillit të Organizatës Ndërkombëtare të Migracioneve. Vëzhguesi i përhershëm i Selisë Shenjte pranë Zyrës së OKB-së në Gjenevë, i ftoi shtetet pjesëmarrëse të zhvillojnë një strategji të përgjithshme për mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve si edhe t’i çrrënjosin paragjykimet kundrejt tyre.
Në mikrofonin tonë flet pikërisht Imzot Silvano Maria Tomazi. Ta dëgjojmë:

Përgjigje: Përpara së gjithash do të thosha se ajo çka të bën përshtypje është se një pjesë e madhe e njerëzimit nuk është në rregull me dokumentet administrative. Bëhet fjalë për 30 deri në 40 milionë vetë, pra, afërsisht 15 përqind apo 20 përqind e 214 milionë emigrantëve të njohur nga Kombet e Bashkuara nëpër botë. Tashti, shqetësimi kryesor që ka Kisha lidhur me këtë masë të madhe njerëzish është se këta bëhen pré e abuzimeve dhe e shfrytëzimit. Prandaj, mbi të gjitha shtetet që duan ta bëjnë demokracinë të përparojë, nuk mund ta anashkalojnë këtë dukuri.

Pyetje: Emigracioni i parregullt shpeshherë lidhet me forma të shfrytëzimit të punës, të varfërisë, dhe në fund të fundit të të drejtave të njeriut. Si mund ta prishim këtë rreth vicioz.

Përgjigje: Përpara së gjithash do të thosha se është mundësia për një vend pune që i shkakton këto valë emigrantësh, jo vetëm në vendet perëndimore por edhe të tjera. Tashmë kjo është një dukuri globale, pra do të thosha se është e arsyeshme, në interesin e të gjithëve, që të krijohen kanale ligjore për lëvizjen e njerëzve në mënyrë që ndërmarrjet e vogla e të mesme të cilat zakonisht i marrin në punë emigrantët e parregullt ngaqë kanë përfitime, të vihen në rregull me ligjin. Ndoshta edhe me pjesëmarrjen e shtetit, duke iu bërë lëshime këtyre ndërmarrjeve, që ta lehtësojnë vënien në rregull. Rreziku i shfrytëzimit, ai i abuzimit do të zhdukej sikur të kishte një bashkërendim më të mirë të punës nga ana e shteteve të interesuara. Mbi të gjitha të hapen kanale ligjore, të kihet parasysh se nuk është ilegal emigranti që vjen të punojë, sepse emingrantët punojnë në vende që janë krejtësisht ligjore, por sistemi, kanalet nëpër të cilat përshkohet emigranti janë të tilla. Janë këta që e bëjnë të vështirë këtë problem dhe i fusin njerëzit në situata të vështira.







All the contents on this site are copyrighted ©.