(25.11.2009 RV)Presidenti iranian, Mahmud Ahmadinexhad mbërriti sot në Karakas
për t’u takuar me homologun e tij venezuelan, Hugo Çavez e për të forcuar miqësinë
ndërmjet dy vendeve. Kjo është etapa e fundit e turneut të tij në Amerikën Latine,
që në ditët e kaluara e çoi në Brazil e në Bolivi. Karakas dhe Teherani kanë
nënshkruar mbi 300 marrëveshje bashkëpunimi në sektorin e makinave dhe të traktorëve,
si edhe për formimin e një banke dypalëshe. Gjatë dy ditëve, që Ahmadinexhad do të
qëndrojë në Venezuelë, është parashikuar nënshkrimi i marrëveshjeve të tjera, pavarësisht
nga protestat e opozitës kundër atij që quhet “diktatori” i Iranit.