2009-11-25 17:00:59

Papa në audiencën e përgjithshme: bota do të ishte shumë më e lumtur, në se njerëzit do të imitonin marrëdhëniet e dashurisë së Trinisë Shenjte.


(25.11.2009 RV)Në se marrëdhëniet ndërmjet njerëzve do t’i përngjanin marrëdhënieve të dashurisë, që lidhin tri Vetjet hyjnore, bota do të ishte një vend shumë më i lumtur, ku secili do të jetonte për tjetrin. Kështu u shpreh Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI në Vatikan. Sot Papa u frymëzua nga shkrimet e murgjërve teologë të shekullit XII, Ugo e Rikardi, që jetuan në abacinë e famshme pariziane të Shën Vitorit.

Historia e njerëzve nuk është vazhdimësi faktesh, që drejtohen nga kaosi, por hapësirë ku Zoti dërgoi Birin e vet e ku vijon të veprojë përmes Shpirtit Shenjt. E në se shpirti njerëzor do të ishte më i aftë për të kundruar realitetet qiellore sipas shembullit të Trinisë e do të sillej në përkim me këtë shembull, do të zbulonte se mrekullia e lumturisë mund të realizohet edhe në realitetet tokësore. Kjo është, e thënë me dy fjalë, përmbajtja e mësimeve të Benediktit XVI në audiencën e sotme të përgjithshme, frymëzuar nga dy teologë, që jetuan 800 vjet më parë: Ugo e Rikardi i Shën Vitorit – të cilët Benedikti XVI ua propozoi mijëra besimtarëve, që e ndiqnin në Sallën e Palit VI në Vatikan.
Në Parisin e shekullit XII, Shën Vitori ishte një abaci me identitet aq të fuqishëm kulturor, sa murgjërit e saj njiheshin me emrin ‘vitorinët’. Atje – shpjegoi Papa – u realizua një sintezë e goditur ndërmjet dy rrymave teologjike më të njohura të epokës: asaj monastike, që orientohej më shumë nga kundrimi i mistereve të fesë e asaj skolastike, që përdorte arsyen për shqyrtimin e mistereve hyjnore. Ugo i Shën Vitorit – shpjegoi Benedikti XVI – tejet i interesuar për lidhjet ndërmjet fesë e arsyes, e themeloi shkencën e tij teologjike mbi studimin historiko-letrar të Biblës:
“Me fjalë të tjera, para se të zbulohet vlera simbolike, përmasat më të thella të tekstit biblik, duhet njohur e thelluar kuptimi i historisë së treguar nga Shkrimi Shenjt: përndryshe – vërejti Papa – rrezikon të jesh si studiuesit e gramatikës, që nuk e dinë alfabetin”.
Prej këndej, argumentoi murgu Ugo, në se njihet historia e Biblës, atëherë kuptohet se edhe ngjarjet njerëzore kanë vulën e Provanisë, sipas një plani të përsosur:
Kështu për Ugon e Shën Vitorit, historia nuk është rezultat i fatit të verbër ose i rastit absurd, siç mund të duket. Përkundrazi, në historinë njerëzore vepron Shpirti Shenjt, që frymëzon dialogun e mrekullueshëm të njerëzve me Zotin, mikun e tyre. Ky vizion teologjik i historisë vë në dukje ndërhyrjen mahnitëse e shëlbuese të Hyjit, i cili hyn me të vërtetë në histori e vepron në të, gati-gati duke bërë pjesë në historinë tonë, por gjithnjë duke mbrojtur e duke respektuar lirinë e përgjegjësinë e njeriut”.
Veç kësaj – kujtoi Benedikti XVI – Ugo i Shën Vitorit na jep edhe përcaktimin e sakramentit, i cili shpreh në mënyrë efikase sa ‘trupësinë’ e simbolit, që e bën të dukshëm vetë sakramentin, aq edhe forcën e hirit, që përmban:
“Ka rëndësi që edhe sot e kësaj dite animatorët liturgjikë, e në veçanti meshtarët, t’i vlerësojnë me urti baritore shenjat e riteve sakramendore – dukjen dhe prekshmërinë e hirit – duke treguar kujdes të madh për katekizmin, në mënyrë që në çdo kremtim të sakramenteve, thellësia dhe gëzimi shpirtëror të jetohen me devocion nga të gjithë besimtarët”.
Ndryshe nga Ugoja, dishepulli i tij Rikardi, është mistik e prandaj merret me kuptimin alegorik të Biblës. Në një nga veprat e tij – vërejti Benedikti XVI:
U propozon besimtarëve shtegtimin shpirtëror, që të fton, sidomos, të ushtrosh virtyte të ndryshme, duke mësuar t’i disiplinosh e t’i rregullosh me arsye ndjenjat afektive e emotive. Vetëm kur njeriu arrin drejtpeshimin e pjekurinë njerëzore në këtë fushë, është gati të fillojë kundrimin (...). Kundrimi, pra, është pikarritje, rezultat i një rruge të vështirë, që bazohet në dialogun e fesë me arsyen, domethënë – edhe një herë – në diskutimin teologjik”.
Këtë përdorim të arsyes për kuptimin e fesë – vërejti Papa – Rikardi e praktikon në mënyrë bindëse në kryeveprën e tij, kushtuar Trinisë. Është një përshkrim i mprehtë i marrëdhënieve të dashurisë, që bashkojnë tri Vetjet Trinitare dhe i gëzimit të pasosur, që i bashkon. Një model – theksoi Papa – që po të imitohej nga njeriu, do të ndikonte tejet pozitivisht mbi njerëzimin: “Si do të ndryshonte bota – theksoi Ati i Shenjtë – në se në familje, në famulli e në të gjitha bashkësitë e tjera, marrëdhëniet ndërmjet njerëzve do të jetoheshin duke ndjekur gjithnjë shembullin e tri Vetjeve hyjnore, bashkim në të cilin secila Vetje jo vetëm që jeton me tjetrën, por edhe për tjetrën e në tjetrën." Lidhur me këtë Papa kujtoi fjalët e shqiptuara prej tij në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 7 qershorit të kaluar, kushtuar identitetit të vërtetë të Hyjit, identitet që ndrin mbi gjithësinë. Prova më e fortë se jemi krijuar sipas shembëlltyrës së Trinisë - nënvizoi Benedikti XVI - është kjo: vetëm dashuria na bën të lumtur, sepse jetojmë në marrëdhënie, jetojmë për të dashur e për t’u dashur. Duke përdorur një analogji të marrë nga biologjia, themi se njeriu ka në ‘genomën’ e vet gjurmë të thella të Trinisë, të Zotit-Dashuri.
E është pikërisht dashuria – vijoi Ati i Shenjtë – që e bën këtë mrekulli të vazhdueshme: ashtu si në jetën e Trinisë Shenjte, pluraliteti rindërtohet në unjësi, ku gjithçka është kënaqësi e gëzim. “Vides Trinitatem, si caritatem vides” – “Kundron Trininë, në se shikon dashurinë”. Të frymëzohemi nga Trinia Shenjte, model i përkryer i bashkimit në dashuri, për të ndërtuar marrëdhëniet tona të përditshme njerëzore . Ky është impenjimi konkret, që u kërkoi Papa besimtarëve në përfundim të katekizmit të audiencës së përgjithshme, kushtuar Vitorinëve, domethënë Ugos e Rikardit.
Ndërsa në përshëndetjet pas katekizmit, në gjuhë të ndryshme të botës, Benedikti XVI u kujtoi të rinjve, të sëmurëve e të sapomartuarve fillimin e afërt së Kohës së Ardhjes:
“Ju nxis ju, të rinj, ta jetoni këtë kohë të fortë me lutje të vazhdueshme e me impenjim ungjillor. Ju inkurajoj ju, të sëmurë, ta mbështesni me ofertën e vuajtjeve tuaja rrugën e përgatitjes së Krishtilindjes së shenjtë të popullit të krishterë. Ju uroj, ju, bashkëshortë të rinj, të jeni dëshmitarë të Shpirtit të dashurisë, që i jep jetë mbarë familjes njerëzore”.







All the contents on this site are copyrighted ©.