2009-11-25 17:03:43

Drejt mbledhjes së OKB-së mbi klimën në Kopenhagë


(25.11.2009 RV)Ditët e fundit para mbledhjes ndërkombëtare të OKB-së mbi klimën, që do të mbahet nga 7-18 dhjetor në Kopenhagë. Është një takim themelor për të vendosur mbi masat, që duhen marrë për të mbrojtur ambientin e kërcënuar nga veprimtaria e njeriut. Për një ditë, në këtë mbledhje të rëndësishme do të marrë pjesë edhe presidenti amerikan, Barak Obama. Ai do të shkojë në Danimarkë më 9 dhjetor, do të marrë pjesë në samitin mbi klimën e pastaj do të spostohet në Oslo për të marrë Çmimin Nobel për paqen. Por a do të mund të arrihet një marrëveshje globale për klimën? Të dëgjojmë pedagogun italian të fizikës në Universitetin Katolik të Breshës, Antonio Balarin Denti:
Besoj se, siç duken gjërat, është më e lehtë të arrihet një marrëveshje mbi parimet e objektivat afatgjata, se sa mbi aksionet konkrete për t’u zbatuar sot. E kjo, sepse e gjithë puna e kësaj periudhe ndërmjet Bashkimit Evropian, SHBA-ve dhe vendeve, që emetojnë më shumë gazin serë, si Kina, nuk ka çuar në një marrëveshje e nuk besoj se mund të ratifikohet ndonjë drejtpërdrejt në Kopenhagë. E rëndësishme është të kuptohet si duhet vepruar në kohë, të caktohen kriteret për veprimet e ardhshme, para se të skadojë protokolli i Kiotos, pra, para vitit 2012.
Cilat janë vështirësitë në arritjen e një marrëveshjeje mbi klimën?
Ka divergjenca interesash, së pari mbi kohët e përdorimit të teknologjive e të modeleve ekonomike, që mund të ndalojnë ndryshimet e klimës. Kemi ekonomi krejt të shfazuara në zhvillimin e tyre. Për shembull, ajo kineze rritet shumë, por teknologjikisht është disa dhjetra vite larg fqinjëve. Edhe SHBA-të janë vonë në krahasim me Evropën, përsa i përket industrisë energjitike. Pra, është e vështirë të bien dakord vende të ndryshme për nga prodhimi, ekonomia e teknologjia.







All the contents on this site are copyrighted ©.