Sot më 24 nëntor kalendari Kishtar përkujton Shën Andreun Dung-Lak dhe 116 shokët
martirë të Vietnamit.
(24.11.2009 RV)Historia e krishterimit
në Vietnam, filloi në shekullin e XVI me misionarin francez atë Aleksandër de Rodes,
që konsiderohet apostulli i parë i kësaj Kishe aziatike, aso kohe e ndarë në tri rajone:
Tonkěn, Anam e Koçinçina. Pra në Vientam e në rajonin Tonkěn fjala e Ungjilli për
herë të parë kumboi në shekullin e XVI, përmes martirizimit. Numri i përgjithshëm
i viktimave, gjatë tre shekujve në këtë tokë, arrijnë në afër 130.000. Data e 24 nëntorit
është dita e martirizimit të disa prej këtyre shenjtorëve, siAndreu Dung-Lak
meshtar që lindi në Vietnam, në vitin 1795, nga prindër paganë. Duke qenë tepër e
varfër, familja ia shiti një katekisti të krishterë, që e mbajti pranë në misionin
e Vinh-Tri, ku e pagëzoi dhe e shkolloi. Si u bë edhe ai katekist, vendosi të fillojë
studimet teologjike dhe, më 15 mars të vitit 1823 u shugurua meshtar. U caktua
famullitar në zona të ndryshme. Ndonëse në vend kishte shpërthyer persekutimi më i
egër antikristian, ai e vijoi misionin e vet, duke vënë në rrezik edhe jetën. Gjatë
sundimit të mbretit Minh-Mahn, u burgos disa herë për shkak të fesë. Por sa herë burgosej,
të krishterët e lironin nga burgu, duke paguar shumën e caktuar për këtë qëllim. E
kjo nuk ishte aspak e lehtë, në një kohë kur ai që fshihte një të krishterë, dënohej
me vdekje. Më 10 nëntor 1839 Andreu u arrestua në Ké-Song e më vonë u lirua,
pas pagesës së zakonshme. Ndërsa kapërcente lumin me varkë, u arrestua nga sekretari
i prefektit, i cili e njohu. Më 16 nëntor 1839 u mbyll në qelitë e tmerrshme të burgut
në Hanoi, ku iu nënshtrua një hetuesie të gjatë e të mundimshme. I ftuar të mohojë
fenë e të shkelë Kryqin, u përgjigj se ishte gati të vdiste, por jo të mohonte. E
dënuan me prerjen e kokës. Dënimi u zbatua më 21 nëntor 1839. Së bashku me Andreun
kujtohen edhe 116 martirë të tjerë vietnamezë, që e dëshmuan besnikërinë e tyre ndaj
Krishtit gjatë historisë së ungjillëzimit të vendit. Fara e hedhur në vitin 1617 në
Tonkin nga Atë Aleksandër de Rodes, dha fryte të begata. Andreu e shumë të tjerë u
shpallën të Lumë nga papa Leoni XIII më 190. pastaj disa të tjerë nga Piu X më 1909,
nga Piu XII më 1925; prej këtyre 117 u shpallën shenjtë nga Papa Gjon Pali II më 19
qershor 1988.