2009-11-24 14:46:57

Lëvizja “Fetë për paqen”: ndryshimet kulturore janë rast për t’u pasuruar


(24.11.2009 RV)Ndryshimet kulturore nuk duhet të merren si kërcënim, por si rast për t’u pasuruar shpirtërisht: kështu mendon lëvizja shumëfetare ndërkombëtare “Fetë për paqen”, e cila komenton iniciativën “White Christmas” (Krishtlindja e bardhë) të një komune të Breshës në Itali, kundër emigrantëve të parregullt.
“Kur flasim për Krishtlindjen – shkruan organizata – nuk mund të harrojmë tregimet ungjillore mbi lindjen e Jezusit, të cilat paraqesin refuzimin e njerëzve për shën Marinë e shën Jozefin, të cilët nuk patën vend ku të lindnin birin e tyre. Refuzimi vinte ngaqë ata ishin të huaj. Mesazhi është krejtësisht i qartë e lidhet me çështjen e mikpritjes për të huajin”.
Çfarë pasojash mund të ketë në kohë kjo sjellje ndaj emigrantëve? – pyet levizja “Fetë për paqen”, e cila i kupton fort mirë kërkesat e vendasve, por sqaron se mikpritja është detyrë civile. Rruga është integrimi gjithnjë e më i madh i bashkësive të emigrantëve në shoqërinë vendase, duke respektuar ndryshimet.







All the contents on this site are copyrighted ©.