2009-11-24 14:47:16

Konferencë mbi Enciklikën e Papës ‘Caritas in Veritate’ -‘E Vërtetën me Dashur’.


(24.11.2009 RV)RealAudioMP3 “Për një etikë miqësore të personit, në politikë dhe në ekonomi”: kjo është tema e konferencës mbi Enciklikën e Papës ‘Caritas in Veritate’ “ E Vërtetën me Dashuri “, që mbahet nesër më 25 nëntor në Romë, pranë Kishës së Kryqit të Shenjtë në Jerusalem (Santa Croce in Gerusalemme).
Në takim, organizuar nga Shoqëria e Shën Gjergjit do të marrin pjesë prof- Flavio Feliçe, president i ‘Qendrës së Studimeve Tocqueville-Acton’ dhe profesor i doktrinave ekonomike e politike pranë Universitetit Papnor të Lateranit në Romë, si dhe deputetët italianë Paola Binetti e Raffaello Vignali. Takimi ka për qëllim të thellojë mesazhin e dokumentit të Benediktit XVI Caritas in veritate nga këndvështrimi ekonomik e politik.
Kujtojmë se Enciklika e tretë e Atit të Shenjtë Racinger “ E Vërtetën me Dashuri “ qe nënshkruar me datën 29 qershor 2009. E siç përmendi personalisht Papa Benedikti XVI gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot në solemnitetin e festës së Apostujve Pjetër e Pal në Vatikan, enciklika e re shoqërore është një kontribut që Kisha jep në dritën e Ungjillit e të traditës, e dëshiron t’i thellojë disa aspekte të zhvillimit integral e global të epokës sonë, dhe të trajtojë disa probleme të rëndësishme e urgjente sociale si drejtësia, ekonomike, puna, varfëria, respektimi i të drejtave themelore të njeriut, etika e tjera.
Po kjo enciklikë e re e Benediktit të XVI radhitët në vazhdën e Papëve tjerë të cilët gjatë historisë i kanë kushtuar vëmendje dhe energji çështjeve sociale duke kontribuar në këtë drejtim.
Sikur tha Papa Racinger, kjo enciklikë e re shoqërore lidhet me enciklikën e njohur “Populorum Progressio” (Zhvillimi i Popujve), që është një nga enciklikat shoqërore më të famshme të Kishës, shkruar nga Papa Pali VI në 1967.
E po kujtojmë se Enciklika i kushtohej bashkëpunimit ndërmjet popujve dhe problemit të vendeve në zhvillim e sipër. Në të denoncohej rritja e hendekut ndërmjet vendeve të pasura dhe atyre të varfra, kritikohej neokolonializmi, por edhe ripohohej e drejta e të gjithë popujve për të arritur mirëqenien.
Papa Montini kritikonte asokohe si kapitalizmin ashtu edhe kolektivizmin komunist dhe propozonte krijimin e një fondi botëror për të ndihmuar vendet në zhvillim.
Të gjithë papët, duke filluar nga fundi i shekullit XIX, i kanë kushtuar shumë vëmendje tematikave të punës dhe të ekonomisë, çështjeve shoqërore që kanë të bëjnë me dinjitetin e njeriut dhe të drejtat e tij themelore shoqërore.
Kështu, enciklikat që kanë të bëjnë me këto tema, fillojnë nga Rerum Novarum të Leonit XIII, në vitin 1891, në të cilën kundërshtoheshin idetë socialiste por kërkohej mbrojtja e të drejtave të punëtorëve.
Më 15 maj 1931, doli enciklika e titulluar “Vitit i Dyzetë” (Quadragesimo Anno) i Papës Piut XI në të cilën kundërshtohej komunizmi dhe kritikohej korporativizmi fashist.
Ndërsa në maj të 1961-it Papa Gjoni XXIII do të nënshkruante enciklikën “Nënë dhe Mësuese” – (Mater et Magistra), në të cilën, për herë të parë Kisha fliste për funksionin e nevojshëm shoqëror të pronës private. Gjithashtu edhe Papa Gjon Pali II na ka lënë enciklikën e tij shoqërore “Viti i Njëqindtë” - (Centesimus Annus) botuar në vitin 1991 me rastin e 100-vjetorit të Rerum Novarum.
Tani qe radha e Benediktit XVI, e papës teolog i cili deri tani ka shkruar dy enciklika me tematikë tipike doktrinare. E para është “Zoti është Dashuri” – (Deus Caritas est) kushtuar dashurisë së krishterë dhe e dyta “Spes Salvi”, që përqendrohet tek shpresa e krishterë, e vetmja që triumfon mbi rrënojat e persekutimeve shekullore, ideologjive dhe totalitarizmave të shek XX.







All the contents on this site are copyrighted ©.