2009-11-24 16:55:14

Irani i gatshëm për pasurimin e uraniumit. Në vend nis indoktrinimi i shkollave kundër opozitës.


(24.11.2009 RV)Irani nuk do ta kundërshtojë dërgimin e uraniumit për pasurim jashtë vendit por kërkon garanci se uraniumi që do të marrë do të jetë në një shkallë më të lartë pasurimi. Lajmin e dha në një konferencë për shtyp në Teheran kryenegociatori iranian për çështjen bërthamore Saed Zhalili. Po ashtu zëdhënsi i ministrisë së punëve të jashtme të Iranit, Ramin Mehmanparast, deklaroi sot paradite se Irani nuk e ka kundërshtuar kurrë planin për pasurimin e uraniumit jashtë vendit, porse kërkon garanci që uraniumi të pasurohet deri në shkallën 20 përqind.

E ndërsa vijojnë bisedimet për mënyrat e pasurimit të uraniumit regjimi iranian duket se po vë në zbatim një politikë tjetër kundër opozitës. Kjo politikë ka filluar tashmë me indoktrinimin e shkollave fillore dhe me marrjen nën kontroll të masmediave. Kështu shkruante sot gazeta amerikane Nju Jork Tajms duke shpjeguar se qeveria e Teheranit e ka kuptuar se metoda e dhunës, arrestimet dhe proceset gjyqësore nuk mjaftojnë për shtypjen e opozitës. Kështu, fushata e re ideologjike po fillon nga shkollat fillore ku parashikohet ngritja e 6 mijë qendrave të milicisë Basizhi. Po ashtu pasdaranët kanë marrë nën kontroll agjencinë e lajmeve Fars dhe në pranverën e ardhshme kanë ndërmend të themelojnë agjencinë e tyre të lajmeve Atlas. Pasdaranët kanë shtënë në dorë edhe provajderat e internetit si dhe dy shoqëri të telefonave celularë në vend.

Nga ana tjetër presidenti Ahmadinexhad po zhvillon këto ditë një turne diplomatik në Amerikën Latine në kërkim të aleatëve. Në qendër të këtyre bisedimeve do të jetë çështja bërthamore iraniane, politika ndërkombëtare dhe tregtia. Pas Brazilit presidenti Ahmadinexhad do të vizitojë edhe Bolivinë e Venezuelën.







All the contents on this site are copyrighted ©.