2009-11-23 16:18:59

Në festën liturgjike të Shën Klementit, kujtojmë mësimin e Benediktit XVI: Kisha nuk është strukturë politike.


(23.11.2009 RV)Kisha kremtoi sot Shën Klementin Romak, Pasardhës i katërt i Shën Pjetrit, i nderuar që në shekujt e parë të krishterimit me titullin e martirit. Këtij Ati të madh të Kishës Benedikti XVI i ka kushtuar katekizmin e audiencës së përgjithshme të 7 marsit 2007. Në mënyrë të posaçme Papa ndalet tek Letra e Shën Klementit drejtuar korintianëve, dokument që përmban një reflektim ndriçues mbi identitetin e Kishës dhe mbi rolin e laikëve. Ta rikujtojmë këtë katekizëm:

“Nën Klementin Romak, me që bashkësia e vëllezërve të Korintit qe tronditur thellë nga përçarjet, Kisha e Romës i drejtoi një Letër, në të cilën prekeshin temat aktuale – atëherë e sot – të identitetit të Kishës e të misionit të saj. Benedikti XVI citon fjalët e Shën Ireneut, për të nënvizuar sa e rëndësishme ishte kjo ndërhyrje e Papës Klementi. Dokumenti i nxiste besimtarët të ishin të përvujtë e ta donin njëri-tjetrin me dashuri vëllazërore. Madje në Letër ndeshim për herë të parë fjalën ‘laik’, apo ‘shekullar’, që në letërsinë e krishterë do të thotë ‘anëtar i popullit të Zotit’. Në këtë letër - vijon Benedikti XVI - Shën Klementi shpjegon se në Kishë të gjithë, të bashkuar në mënyrë të pandashme, janë gjymtyrë të njëri-tjetrit:
“Dallimi ndërmjet laikut e hjerarkisë nuk do të thotë kurrsesi kundërvënie, është thjesht lidhje organike e një trupi, e një organizmi, me funksione të ndryshme. Kisha nuk është vend pështjellimesh e anarkie, ku kushdo mund të bëjë si të dojë e kur të dojë: secili në këtë organizëm ushtron detyrën e tij, me një strukturë të mirorganizuar, sipas thirrjes që ka marrë”.
Para së gjithash – u shkruan Klementi korintianëve, në përpjekjen për t’i pajtuar – është kumtimi i gëzueshëm i hirit, që shëlbon. Ky kumtim e mbush me gëzim jetën tonë e i jep siguri veprimtarisë sonë: Zoti na paraprin përherë me mirësinë e tij e mirësia e Zotit është gjithnjë shumë më e madhe se të gjitha mëkatet tona. Por ne duhet të impenjohemi në mënyrë koherente me dhuratën, që kemi marrë e t’i përgjigjemi kumtimit të shëlbimit, duke ecur me fisnikëri e guxim në rrugën e pendimit, shkruan Shën Klementi, duke nënvizuar edhe idealin e tij për Kishën, mbledhur nga i vetmi Shpirt i hirit, që i jep frymë gjymtyrëve të ndryshme të Krishtit.
Klementi – na kujton Benedikti XVI – shpjegon qartë doktrinën e vazhdimësisë apostolike, duke nënvizuar se normat që e rregullojnë, burojnë nga vetë Zoti. Gjithçka vjen nga vullneti i Zotit – shkruan Shën Klementi. E këtu - pohon Benedikti XVI - theksohet me forcë se Kisha ka strukturë sakramentore e jo strukturë politike:
“Kisha mbi të gjitha është dhuratë e Hyjit e jo krijesë e jona, prandaj kjo strukturë sakramentore nuk garanton vetëm rendin e zakonshëm, por edhe përparësinë e dhuratës së Zotit, për të cilën kemi nevojë të gjithë”.
E Klementi – na kujton akoma Papa - e përfundon Letrën e tij me një lutje të frymëzuar, lutja më e lashtë, pas teksteve të Besëlidhjes së Re – për institucionet politike, menjëherë pas persekutimit të të krishterëve. Na rikujton, kështu, se duhet të lutemi për ata që na persekutojnë, ashtu si bëri Jezusi mbi Kryq. Kjo lutje – nënvizon Papa – i prin në rrjedhë shekujsh sjelljes së të krishterëve ndaj politikës e shtetit:
“Duke u lutur për autoritetet, Klementi njeh ligjshmërinë e institucioneve politike e njëkohësisht shqetësohet për to, sepse dëshiron që këto institucione ta ushtrojnë pushtetin që u ka dhënë Zoti në paqe e përdëllim (61,2).Qesari nuk është gjithçka. Mbi të lartohet një sovranitet tjetër, zanafilla dhe thelbi i të cilit nuk janë të kësaj bote, por të botës qiellore: është kjo e Vërteta e Zotit, që kërkon edhe nga shteti të drejtën të dëgjohet”.







All the contents on this site are copyrighted ©.