2009-11-23 16:18:32

Botohen dy biografi të reja kushtuar të Lumes Nënë Terezë.


(23.11.2009 RV)Të enjten e kaluar, më 19 nëntor 2009, në kulmin e Festivalit VIII të Muzikës Kishtare, në Bazilikën e Vatikanit u kremtua një Meshë solemne. I kushtohej meshtarëve, ashtu si edhe vetë Festivali, që u zhvillua pikërisht në zemër të Vitit Meshtarak, shpallur nga Benedikti XVI.
Kardinali Anxhelo Komastri, që kryesoi Meshën, e nisi Homelinë duke kujtuar të Lumen shqiptare, Gonxhe Bojaxhiu: “Disa vjet më parë – theksoi - mbeta tejet i prekur nga disa pohime të Nënë Terezës. Ajo, me bindje të thellë, më tha: ‘Problemi i vetëm i vërtetë i Kishës janë meshtarët. A e dini pse? Sepse meshtarët janë e vetmja pasuri e madhe e Kishës. Kisha është eukaristike e Eukaristinë mund të na e japin vetëm meshtarët”.
E pastaj, si kujtoi edhe Shën Gjon Vianein, figurë qëndrore e Vitit Meshtarak citoi, jo pa shqetësim të thellë, fjalët e famullitarit të Arsit, në përkim të plotë me ato të Nënë Terezës: “Lëreni një famulli për njëzet vjet pa prift, e keni për të parë si arrihet në adhurimin e kafshëve” .
E kjo po ndodh sot - përfundoi Kardinali – bota po mbushet përplot me idhuj, me gënjeshtra, me mashtrime, pikërisht sepse mungojnë ose janë të pakët, shërbëtorët besnikë të Ungjillit”.
Një lajm të gëzueshëm për Nënën tonë Terezë e lexojmë në numrin e fundit të revistës italiane ‘Familja e Krishterë” (n. 47, 22 nëntor 2009). Titullohet “Hiri, që i shndërron jetët tona të përhumbura: dy biografi të reja na ndihmojnë të rizbulojmë aktualitetin e Nënë Terezës”, shkruar nga Franka Xambonini.
Duke pasur parasysh numrin e jashtëzakonshëm të librave e të shkrimeve të tjera të të gjitha natyrave, kushtuar Nënë Terezës, autorja, me të drejtë, vëren: “A është e mundur të ketë mbetur akoma diçka pa u thënë për Nënë Terezën?”.
Duket se po. E dëshmon këtë interesimi i vazhdueshëm për figurën madhore të së Lumes Terezë, gurrë e pashterrshme frymëzimi për njerëz nga të katër anët e botës, që vijojnë të ndjekin shembullin e saj e të shkruajnë për të.Dy librat e rinj titullohen “Nënë Tereza: gjithçka nisi në tokën time”, shkruar nga Kristina Sikardi, botuar nga San Paolo dhe “Misteri i Nënë Terezës”, me autor Jozef Langford, botuar nga Rizzoli.







All the contents on this site are copyrighted ©.