2009-11-22 13:41:59

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar


(22.11.2009 RV)Sot Kisha katolike kremtoi solemnitetin e Zotit tonë Jezu Krishtit, Mbret i Universit. Përkujtoi edhe Shën Çeçilen, virgjër e martire.

Nesër, e hënë, festa liturgjike e Shën Klementit I papë e martir, e Shën Kolombianit abat dhe e Shën Feliçitës martire, na kujton vejushën e Ungjillit. Lëmosha e saj është më e madhja, sepse nuk dha vetëm tepricat, por gjithçka kishte mbas shpirtit. Zoti i pranon dhuratat tona, kur i japim gjithçka i përket.

Liturgjia e së martes, në festën e Shën Andreut Dun-Lak, meshtar e shokëve të tij martirë e Shën Krizogonit, martir, na kujton fjalët që thotë Jezusi për rrënimin e Tempullit, duke kumtuar kështu se gjithçka kalon e se fundi i botës është pashmangshëm. Urojmë të mos e gjejë asnjërin nga ne të papërgatitur.

Shën Katerina e Aleksandrisë, virgjër e martire; Shën Moisiu, martir; Shën Pjetri i Aleksandrisë, ipeshkëv e martir dhe të Lumët Luigji e Maria Beltrame Kuatroki, bashkëshortë, që do të kremtohen të mërkurën, na sigurojnë se fati i dishepullit nuk mund të ndryshojë nga ai i Mësuesit. E megjithatë ia vlen të shkëputesh nga çdo dashuri tokësore, për të fituar gëzimin e pasosur të dashurisë së Zotit.

 
Kur flet për fundin e botës, Jezusi nuk nënvizon aq atë që do të ndodhë në fund të fundit. Thekson kryesisht se kush dëshiron ta ndjekë pas, duhet ta jetojë çdo ditë të jetës, si të ishte e fundmja. Na e kujtojnë, në ditën e festës së tyre, të enjten, Shenjtorët Siriku papë; Leonardi nga Porto Mauricio, meshtar françeskan dhe Silvestri, abat, themelues i Silvestrinëve.

Do të kremtohet të premten Shën Virgjili, ipeshkëv i Salcburgut. Liturgjia e festës së tij na kujton se Fjala e Zotit duhet vlerësuar mbi gjithçka, sepse kur Zoti flet, krijon, e dishepullit nuk i mbetet tjetër, veçse ta dëgjojë e të veprojë në përkim me Të.

Të lutesh çdo çast, që të jesh gjithnjë bashkë me Krishtin Zot, është garancia më e mirë për të përgatitur ditë për ditë takimin e fundmë me Të. Na e kujton, të shtunën, Shën Jaku i Markes, françeskan, nga Kalendari kishtar i ditës.

E diela e ardhshme është e para e Kohës së Ardhjes. T’ia përgatisim rrugën Zotit në shpirtin tonë!







All the contents on this site are copyrighted ©.