2009-11-22 13:42:55

Filluan veprimtaritë festive me rastin e 28 nëntorit 2009 në Romë; dje takimi i Rrethit italo-shqiptar të Kulturës ‘Besa’.


(22.11.2009 RV)Afrohet festa kombëtare e shqiptarëve, 28 nëntori: tashmë kremtimet 2009 në Romë shënuan veprimtarinë e parë, takimin në mjediset e Rrethit italo-shqiptar të Kulturës ‘Besa'.
Protagonist i këtij takimi ishte doktor Visar Zhiti, Poet, i cili shtjelloi temën: “Muri i Berlinit dhe letërsia shqiptare”, duke analizuar hollësisht zhvillimet e letërsisë shqipe gjatë gjithë asaj periudhe, kur u detyrua të jetojë e të zhvillohet e rrethuar nga gardhi i hekurt, që e ndante botën në dy pjesë. Foli edhe për krijimin e letërsisë klandestine, e cila pjesërisht pa dritën e shtypit vetëm pas shembjes së komunizmit. Themi pjesërisht, sepse edhe sot e kësaj dite ka vepra të panjohura, të pabotuara, autorët e të cilave kanë vdekur në burgje ose nuk kanë asnjë mundësi materiale për t’i nxjerrë në dritë. E kjo na kujton një përgjegjësi e një detyrë: asnjë dëshmi, letrare ose dokumentare, e njerëzve që iu kundërvunë diktaturës, nuk duhet të mbetet e patreguar. Por, kujt i i takon një detyrë e tillë kaq e vështirë, e njëkohësisht kaq e shenjtë? Duke pasur parasysh edhe atë letërsi, që u shkrua me qymyr në dyert e birucave me duar të përgjakura? Si vargjet, që po shënojmë më poshtë, shkruar në derën e një biruce në burgun e Shkodrës nga Atë Donat Kurti OFM, autori i famshëm i përmbledhjes me dy vëllime të përrallave kombëtare, pasi e kishin flakur, të dërmuar, mbi një grumbull ‘liveresh’? Vargjet u shpëtuan e u nxorrën prej biruce nga Bija heroike e Zojës, Ana Daja, që i mësoi menjëherë përmendësh:

I Burgosuni

 
Lidhë duersh e kambësh me hekura,
N’tokë shtri mbi pak livere,
Zbé n’f’tyrë, ligshtue prej s’vuejt’nash
T’gropuem sytë sjell prej dere.
Tanë frikë rri e pret
Kush po gerset,
Pse e sheh vedin t’penguem
Asht i burguem.

 
Lum kush n’Tënzonë shpreson!

 
Lum kush n’Tënzonë shpreson
E e ka për prijës, për Mbret
Pse n’gëzime e ndër t’veshtira
Pret ditë ma të mira.
Se i Lumi t’gjith i don,
Ngushëllim asht per njatë zemer
Që e mësyeme prej anmikut
Nuk ka si i pështon rrezikut.
Qindron e s’tutet
Prej vuejtjes lutet
E thotë: “N’dorë tande, o Zot!”.
Në dorë tande, o Zot, kur t’më shpifin,
Kur t’më shajnë e kur t’më salvojnë,
Kur t’më rrahin e t’më poshtnojnë.
Kur t’më xjerrin shpijet
E t’më dajnë shoqnijet.
N’dorë tande, deh! Mos më lësho!
Nen hije t’krahëve të tu
Unë jam ma i lum se fëmija
Qi e mbron e nanës dashtënia.
Kur të kem ty n’roje
Unë rri pa droje,
Pse n’jetë e n’nder ti m’pshton!

 
Erdh dita!

 
Erdh dita t’gëzohemi
Qe, u dha kushtrimi
N’daç fushës n’daç maleve
Si n’shejë ngadhënjimi
T’valojë prap flamuri
Qi anmiqtë e thyen.
Ju dha fund vuejtjeve
Prej kah pësoi jeta,
Dyert s’janë ma të burgjeve,
Duel në shesh e drejta:
Deri prej vorreshVigma shperthen!

 
Por të kthehemi përsëri tek takimi i djeshëm, për të kujtuar se u hap nga profesor Domeniko Moreli, me koordinator, profesor Italo Kostante Fortino.

E vijojmë të kujtojmë edhe se të dielën, më 29 nëntor, në orën 10. 30, pranë Kishës së Shën Athanasit, në Rrugën e Babuinit 149, për të gjithë popullsitë që flasin gjuhën shqipe në Atdhe e nëpër botë, do të kremtohet Liturgjia Hyjnore në këtë gjuhë, muzikuar nga atë Nilo Somma.








All the contents on this site are copyrighted ©.