2009-11-21 14:38:46

Thirrje e pasionuar e Papës drejtuar artistëve: të jeni dëshmitarë të shpresës për njerëzimin duke komunikuar bukuri, pa u trembur nga ballafaqimi me Zotin, Bukurinë e pambaruar.


(21.11.2009 RV)U mbajt në Kapelën Sikstine takimi i shumëpritur i Benediktit XVI me artistët, dhjetë vjet pas Letrës drejtuar artistëve nga Gjon Pali II e 45 vjet pas takimit historik të Palit VI me botën e artit, në maj të vitit 1964.
Qëllimi i tij: rilidhja e miqësisë ndërmjet Kishës e artistëve dhe krijimi i rasteve të reja për të bashkëpunuar në të gjitha fushat e artit.
Të ftuar nga Këshilli Papnor i Kulturës, 500 artistë, caktuar nga një komision i posaçëm, nga kontinente e vende të ndryshme, përfaqësues të pesë arteve kryesore: pikturës e skulpturës; arkitekturës; letërsisë e poezisë; muzikës e këngës; kinemasë, teatrit, baletit, fotografisë e arteve të tjera.
Simbolikisht takimi ishte një audiencë e përgjithshme, me dyer të hapura për të gjithë artistët, që e dëshirojnë dialogun dhe miqësinë e artit me fenë, në përfundim të të cilit Papa u drejtoi artistëve thirrjen:
“Ju jeni rojtarë të bukurisë; ju, falë talentit tuaj, keni mundësinë t’i flisni zemrës së njerëzimit, të ngjallni shpresat, të zgjëroni horizontet e dijes e të veprimtarisë njerëzore. Duhet të jeni, prandaj, mirënjohës për dhuratat që keni marrë e të vetëdijshëm për detyrën që ju është ngarkuar: të komunikoni në bukuri e përmes bukurisë. Uroj që edhe ju, përmes artit tuaj, të jeni kumtarë e dëshmitarë të shpresës për njerëzimin. E mos kini frikë të ballafaqoheni me burimin e parë e të fundmë të bukurisë, të dialogoni me besimtarët, me ata që, ashtu si ju, e ndjejnë veten shtegtarë në botë e në histori, gjithnjë për udhë drejt Bukurisë së Pambaruar! Feja nuk i heq asgjë gjenisë suaj, artit tuaj, përkundrazi, e larton, e ushqen, i jep zemër ta kapërcejë pragun e të kundrojë me sy të mrekulluar e të prekur thellë, cakun e mbramë e përfundimtar, diellin pa perëndim, që e ndriçon dhe e bën të bukur të sotmen!”.
Pikërisht miqësia ndërmjet Kishës e artistëve, gjithnjë e pranishme në historinë e krishterimit, që e ka kuptuar përherë vlerën e artit dhe e ka përdorur urtisht larminë e formave të tij për të komunikuar mesazhin e pandryshueshëm të shëlbimit, ishte në qendër të vëmendjes në fjalën, që Benedikti XVI u drejtoi artistëve në të njëjtën Kapelë, ku pothuajse një gjysëm shekulli më parë, një Papë takohej me botën e artit. Ishte Papa Montini, që ecte në rrugën e hapur nga paraardhësit, Piu XII e Gjoni XXIII. Organizonte një takim të tillë, për t’u bërë artistëve, nga ky vend mahnitës e domethënës, sa për Kishën, aq për artin, thirrje për pajtim. Këtë theksoi Benedikti XVI që në fillim të takimit, duke kujtuar se ishte po ky Papë, që shpalli pajtor të artistëve, të Lumin Anxheliko, duke e paraqitur si model i përkimit të përkryer të fesë me artin. Fjalët që tha asokohe Pali VI – vijoi Papa – jehojnë edhe sot nën qemerin e Kapelës Sikstine, duke prekur mendjet e zemrat: “Ne kemi nevojë për ju – pati thënë Ai – Ministeri ynë ka nevojë për bashkëpunimin tuaj. Sepse, siç e dini, detyra jonë është ta predikojmë e ta bëjmë të afërt, të kuptueshme, të prekshme, botën e shpirtit, botën e të Padukshmit, të Patregueshmit, Hyjit. E ju jeni mjeshtra në këtë veprimtari. Është mjeshtria juaj, misioni juaj, arti juaj t’ia rrëmbeni qiellit, shpirtit, thesaret e tij e t’i vishni me fjalë, me ngjyra, me forma, me kuptim" (Insegnament II, [1964], 313). Shprehte, kështu, impenjimin e Kishës për rivendosjen e miqësisë me artistët e u kërkonte atyre të dialogonin së bashku, duke analizuar me seriozitet e objektivitet shkaqet që e kishin trazuar këtë miqësi, në shërbim të rilindjes së arteve, në rrethanat e një humanizmi të ri.
Më pas, duke patur parasysh vendin ku zhvillohej takimi, Papa nënvizoi se nuk ishte e rastit që ndodheshin pikërisht aty, në atë vend, të çmuar për arkitekturën e për përmasat e tij simbolike, e edhe më shumë, për afresket, që e bëjnë të pashembullt, duke filluar nga kryeveprat e Peruxhinos e të Botiçelit, të Girlandaios e të Kozimo Roselit, të Luka Sinjorelit e të shumë të tjerëve, për të arritur tek Historitë e Zanafillës e tek Gjyqi i Mbramë, vepra të Mikelanxhelo Buonarrotit, i cili la këtu krijimet më të jashtëzakonshme të të gjithë historisë së artit. Në këtë vend – vijoi Papa – është folur shpesh edhe me gjuhën universale të muzikës, falë gjenisë së muzikantëve të mëdhenj, që e vunë artin e tyre në shërbim të liturgjisë, duke e ndihmuar shpirtin të lartohej drejt Zotit. E nuk duhet harruar se Kapela Sikstine është edhe peshtaf kujtimesh të veçanta, sepse skenë e ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e Kishës. Këtu, ju e dini – kujtoi Ati i Shenjtë – Kolegji i Kardinajve zgjedh Papën.
Benedikti XVI i ftoi artistët e pranishëm ta dëgjojnë zërin e afreskeve, që vijojnë të flasin me gjuhën e formave e të ngjyrave, sidomos fjalën e Gjyqit të Mbramë, që të kujton menjëherë se historia e njerëzimit është lëvizje e ngjitje, tension i vijueshëm drejt përsosurisë, drejt lumturisë së fundme, drejt horizontit, që e tejkalon të tashmen, ndërsa e përshkon. Por, gjithnjë përmes afreskut madhështor, Benedikti XVI kujtoi se kjo vepër e pakrahasueshme arti është edhe thirrje profetike kundër së keqes, kundër çdo lloj forme të padrejtësisë. Mikelanxhelo i ofron, kështu, vizionit tonë Alfën e Omegën, Fillesën e Fundin e historisë e na fton të ecim me gëzim, guxim e shpresë në rrugët e jetës.
Më pas Papa u ndal tek fenomenet e sotme negative shoqërore dhe ekonomike, që i trondisin marrëdhëniet njerëzore, duke bërë të lindin dyshimi, nënshtrimi, agresiviteti e dëshpërimi. Bota rrezikon të shpërfytyrohet, për shkak të veprës jo gjithnjë të urtë të njeriut i cili, në vend që ta kultivojë bukurinë, i vë mrekullitë e natyrës në shërbim të pakicës.
Benedikti XVI analizoi funksionin themelor të bukurisë, duke u nisur nga Platoni, për të kaluar tek Dostojevski, i cili ka thënë – citoi Papa: “Njerëzimi mund të jetojë pa shkencë, pa bukë, por nuk mund të jetojë pa bukuri”. Ndërsa Benedikti XVI, larg çdo përcaktimi të rreme e të përciptë, e përkufizoi kështu bukurinë e vërtetë:
“Bukuria e vërtetë... na hap sytë, na bën të aftë të kuptojmë Misterin, pjesë e të cilit jemi e nga i cili mund të thithim përsosuri, lumturi, pasion për jetën tonë të përditshme”.
E, duke e zgjëruar më tej reflektimin, Papa u ndalua tek lidhja e ngushtë e artit me Biblën, që ka frymëzuar kryevepra në të gjitha llojet e arteve, të cilat kanë marrë e vijojnë të marrin nga Shkrimi Shenjt temat, figurat e shembëlltyrat, duke u folur, kështu, të gjitha breznive me fjalën e Zotit. Prandaj arti quhet edhe via pulchritudinis, rrugë e bukurisë, rrugë artistike e estetike, por njëkohësisht edhe rrugë feje e kërkimi teologjik.
Në përfundim Benedikti XVI, ashtu si paraardhësi i tij, Pali VI, u drejtoi artistëve thirrjen e dalë nga zemra, që e cituam në fillim të këtij kumtimi, për të shtuar:
“Ndërsa ju bekoj me gjithë zemër, ju pëshëndes, siç pati bërë Pali VI, me një fjalë të vetme: “Mirupafshim!".
E kjo ishte edhe përshëndetja e fundit e Papës në fjalimin historik, drejtuar sot artistëve të mbarë botës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.