2009-11-21 09:12:26

Sot me 21 nëntor kalendari Kishtar kremton festën e Paraqitjes së Marisë në tempull


(21.11.2009 RV)Mbi këtë paraqitje të Zojës Mari në tempull, për t’iu kushtuar Zotit qysh në fëmijëri të parë, na flasin vetëm tradita dhe shkrimet apokrife. Liturgjia lindore e shënon ketë festë që në shekullin e katërt, ndërsa në Perëndim hyri në Kishë rreth shekullit XIV.
E kremtja përkujton kushtimin e Virgjërës Hyut me shpirt e me trup. Zonja me ketë akt bëhet modeli i gjithë atyre të cilët, aty e mbrapa, do t’i kushtohen Zotit me jetën rregulltare.
Prandaj sot, në përkujtimin liturgjik të Paraqitjes së Zojës së Bekuar në tempull, Kisha kremton edhe Ditën Pro orantibus, kushtuar kryesisht rregulltareve të klauzurës.
Në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 20 nëntorit 2006, Benedikti XVI pati kujtuar se kuvendet e jetës kundruese u ofrohen njerëzve si oaza të Shpirtit e u bëjnë mirë të gjithëve. Maria, që paraqitet në tempull, është ikonë profetike e atyre që dhurojnë jetën për lavd e lumni të Zotit e për kthimin e zemrave, përmes kushteve rregulltare. Kisha u shpreh mirënjohjen Zotit për këtë dhuratë dhe i kushton vëmendje të veçantë manastireve, posaçërisht atyre që kalojnë çaste të vështira.
Gjatë Ditës kushtuar rregulltareve të klauzurës, themeluar nga Piu XII më 21 nëntor 1953, besimtarët luten për ata që ia kushtojnë gjithë jetën kundrimit, duke bashkëpunuar në këtë mënyrë për ndërtimin e mbretërisë së Hyjit. Zgjedhja e rrugës kundruese nuk është e rastit: buron nga dashuria e thellë, pa kushte, për Krishtin dhe nga dëshira për të marrë pjesë shpirtërisht në problemet e Kishës e të botës.
Shembulli i murgeshave mund të kthehet në forcë tërheqëse e t’i japë hov ecjes në gjurmët e Krishtit, që kërkohet nga çdo i pagëzuar.Kjo Ditë u kujton gjithë të krishterëve se Krishti duhet të jetë në qendër të jetës së tyre, se duhet të luten e ta dëgjojnë fjalën e Zotit, për ta jetuar plotësisht fenë e tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.