2009-11-21 11:32:24

Kështu di të mbretërojë Zoti!


(21.11.2009 RV)Në ditën kur liturgjia – me solemnitetin e fundit të kohës gjatë vitit kishtar, kushtuar Krishtit Mbret, reflekton për ardhjen e Jezusit në mbarimin e kohëve, ndërsa përgatitet për të kremtuar ardhjen e parë, Krishtlindjen, nuk mund të mos mendojmë për rrugën që duhet përshkuar për të arritur në Mbretërinë e Zotit. Është rrugë e gjatë, e vështirë, që bazohet mbi lirinë e njeriut për ta mirëpritur të vërtetën dhe dashurinë e Krishtit, pa dredhuar nëpër shtigje të shkurtra.
E diela e fundit para Kohës së Ardhjes na kujton se Krishti e dëftoi natyrën e tij të posaçme mbretërore gjatë hetimeve dramatike para Poncit Pilat. Ishte një mbret që kishte ardhur t’i çlironte njerëzit nga skllavëria e mëkatit e t’i pajtonte me Zotin. Ballë për ballë me Pilatin, Krishti pohoi se kishte ardhur në botë “që të japë dëshmi për të vërtetën”. Po për cilën të vërtetë ?
Gjithë jeta e Tij zbulon se Zoti është dashuri: kjo, është pra, e vërteta, për të cilën ai bëri një dëshmi të plotë me flijimin e vetë jetës mbi Kalvar. Kryqi është ‘froni’ nga i cili e dëshmoi mbretërinë më të lartë të Zotit Dashuri: duke u flijuar për faljen e mëkateve të botës, Ai e mposhti sundimin e ‘princit të kësaj bote’ dhe ndërtoi përfundimisht Mbretërinë e Hyjit”.
E në se jeta e Jezusit është dashuri, rruga nëpër të cilën duhet të ecë i krishteri nuk mund të mos jetë e njëjtë.
Rruga për të arritur në këtë cak është e gjatë e nuk pranon t’i biesh për shkurt: duhet që çdo njeri ta pranojë lirisht të vërtetën e dashurisë së Zotit. Ai është Dashuri e Vërtetësi; as dashuria e as vërtetësia nuk mund të imponohen kurrë: trokasin në portën e zemrës e të mendjes e, atje ku mund të hyjnë, çojnë paqen e gëzimin. Kështu di të mbretërojë Zoti; ky është plani i tij i shëlbimit, një ‘mister’ në kuptimin biblik të fjalës, dmth plan që zbulohet pak nga pak në histori.
Sot, pra, Kisha kumton përvujtërisht të vërtetën e Krishtit Mbret, i cili vdiq në kryq, duke kryer aktin më heroik të dashurisë që njeh historia e njerëzimit. Këtë të vërtetë, që i është dorëzuar, Kisha e ruan plot përvujtëri, pa hijen e mburrjes ose të arrogancës.
Krishti Mbret i universit, është i vetmi Zot, e përballë tij të gjithë jemi vëllezër. Mbarë hierarkia e Kishës, çdo karizëm e çdo shërbim, gjithçka e të gjithë, është në shërbim të sundimit të tij. Por pushteti mbretëror i Krishtit është krejt i veçantë, sepse manifestohet mbi kryq: Jezusi i poshtëruar e i tallur, zbulon lavdinë e tij duke ndenjur mbi Kryq, si Qengj i flijuar. Në mënyrë të papritur hajduti i mirë e pranon pushtetin mbretëror të të drejtit të pafajshëm: e sheh të kryqëzuar dhe e quan Mbret; e kupton se të kesh jetë, do të thotë të rrish me Krishtin, sepse atje ku është Krishti, është edhe Mbretëria; e kështu lavdia hyjnore tashmë bëhet e pranishme, ndonëse e fshehur pas shpërfytyrimit të kryqit.







All the contents on this site are copyrighted ©.