(20.11.2009 RV)Duke shfletuar kalendarin historik, sot përkujtojmë Dom Ndre
Mjedën në 143 vjetorin e lindjes. Meshtari, Poeti e gjuhëtari i madh, që mbeti në
kujtesën e popullit si këngëtari i "Bylbylit në kafaz", i "Rinisë" e i "Andrrës së
jetës", një ndër fytyrat më të ndritura të gjuhës, letërsisë e kulturës shqiptare,
u lind në Shkodër, më 20 nëntor 1866, për t'u përshkuar pastaj tërë jetën nëpër
rrugët e pafundme të botës së madhe, nga Lavali i Francës, në Manrezë të Spanjës;
nga Kraljevica e Jugosllavisë në Chieri të Italisë, nga Krakovia e Polonisë në vendlindje
e në fshatin Kukel. Shumë e njohur është veprimtaria e Mjedës, që nuk bën
pjesë në të mohuarit, por në të keqinterpretuarit e Letërsisë shqipe. Në veprën “Jezuitët
Martirë në Shqipëri” botuar pak vjet më parë nën kujdesin e Jezuitit italian Atë
Armando Guidetti, me të drejtë shkruhet: “ Po të ishte gjallë Mjedja do të shkumbëzonte
nga përçmimi kundër atyre që kanë guxuar të vënë në dyshim ortodoksinë e tij katolike
e tomistike, teologjike e filozofike”.(“Gesuiti Martiri in Albania”, Cusano Milanino,
Febbraio, 1966, fq. 45) Prandaj duke e përkujtuar sot në përvjetorin e 143- të të
ditëlindjes, po vemë theksin mbi veprat e tij më pak të njohura, ato fetare.
Ndonëse shumica e veprave fetare të Mjedës janë përkthime apo përshtatje, mund të
themi me plot gojën se me to Meshtari dha një ndihmesë të shquar për vazhdimin e traditës
katolike të përkthimit si dhe të prozës shqipe. Ndër veprat fetare të Dom Ndreut
mund të përmendim: “Jeta e Shęjtit Shë Njon Berkmansit” që e përshtati prej italishtes
më 1888, kur ishte vetëm 22 vjeç, “Të Pergiámit e Zojës së Bekueme”, përshtatur prej
spanjishtes më 1892, e ribotuar më 1927: “Lumnít e Zojës” përshtatur prej italishtes,
botuar më 1929; “Devocioni i Zemrës së Jezu Krishtit”, përshtatur prej frëngjishtes
më 1931; “Katekizmi i Madh” përshtatur prej italishtes. Ribotoi edhe 14 Ligjërata
të Imzot Pjetër Bogdanit, të cilat i pajisi me një parathënie të vetën me titull:
“Jeta e së Lumes Virgjin Mërí nxjerrun prej veprës “Cuneus Prophetarum”. Pra dom Ndre
Mjeda është ndër të parët gjuhëtarë shqiptarë që u morën me studimin dhe transkriptimin
e veprave të letërsisë sonë të vjetër. Transkriptoi pjesërisht veprën e Pjetër Bogdanit
(1930) dhe të Pjetër Budit (1932), shkroi për dialektin shqiptar të Istries (1932)
dhe për Perikopenë e ungjillit të shek. XIV-XV (1933). Pas këtyre, shkroi
veprën origjinale “Shën Luigj Gonzaga”, Projsi i pergjithtë i moshës së re. Një
tjetër vepër me karakter fetar është “Historia Shęjte” kryevepër e llojit, që bashkon
gjuhën e stilin popullor e atë të kultivuar njëherit. Vepër e Mjedës është edhe
një nga librat më të njohur e më të përdorur të uratëve, apo, siç quhet nga populli,
oficja: “Vizari Shpirtnuer”, e cila përmbledh lutjet e këngët kryesore të Kishës dhe
përdoret edhe sot nga besimtarët. Duke lexuar veprat me tematikë fetare të Dom
Ndre Mjedës së madh, ndjejmë gati gati po atë kënaqësi që buron nga kryeveprat e tij
lirike. Në kohën tonë kur libra si të Mjedës janë tepër të rrallë, kur Kisha ka aq
nevojë për kryevepra fetare e kur nuk ka mujtë me nxjerrë ende nga gjiri i vet një
Mjedë a një Fishtë, për shkak të viteve të shkatërrimit të madh, mendojmë se do të
ishte mirë të ribotoheshin veprat më të realizuara të traditës, si bie fjala “Shë
Luigj Gonazaga” ose “Historia Shęjte”, shkruar me dorë mjeshtri, artisti e shkencëtari,
vepra që do të zgjonin interesimin e jashtzakonshëm që ka treguar e tregon besimtarët
e posaçërisht rinia katolike shqiptare për Kishën e për figurat e saj të mëdha. Nga poezitë e Dom Ndre Mjedës Vaji i Bylbylit
Po shkrihet
bora, Dimni po shkon; Bylbyl i vorfën, Pse po gjimon?
Pushoi
murlani Me duhi t'vet; Bylbyl i vorfën, Çou mos rri
shkret.
Gjith fushët e malet Blerim i mbëloj; Livadhi
e pema Gjithkah lulzoj.
Ndër pyje e orgaja, N'ma
t'mirin vend, Me rreze dielli Po e gëzon gjith'kend.
E
tuj gjimue Shkon rreth e rreth Nji prrue qi veret Rrjedh
nëpër gjeth.
A çilë kafazi, Bylbyl, flutro; Ndër
pyje e orgaja, Bylbyl, shpejto.
Kerkush
ma hovin Atje s'ta pret, Me zeher haejen Kerkush s'ta
qet.
Kafaz ke qiellin, Epshin pengim, E
gjith ku t'rreshket Shkon fluturim.
Nëpër
lamije Ke me gjet mel, Për gjith'prendverën Njajo buk
t'del.
E kur t'zitë edi ndër prroje pi, Te
njato prroje Qi ti vetë di.
Tash pa frigë
çerdhen E ban ndoj lis; Nuk je si'i nieri Qi nuk ka
fis
E kur t'vin zhegu, Kur dielli shkon, Ti
ke me këndue Si ke zakon.
Rreth e rreth
gjindja Me t'ndie rri; Prej asi vendit Dahen me zi.
A
çilë kafazi, Bylbyl, flutro; Ndër pyje e ograja, Bylbyl,
shpejto.
Ndër drandofille, Ndër zamakë
nga; Ku qeshet kopshti, Idhnim mos mba.
Po
shkrihet bora, Dimni po shkon; Biylbyl i vorfën , Pse
po gjimon? Lirija
- I - O shqype, o zogjt' e maleve,
kallxoni: a shndritë rreze lirie n'ato majë; mbi bjeshkë t'thepisuna
e n'ograjë, ku del gurra e gjëmon përmallshëm kroni? A keni ndie
ndokush, kah fluturoni ndër shkrepa, me ushtue kangën e saj, A
keni ndie nji kangë të patravajë? O shqype, o zogjt' e maleve, kallxoni! Lirim,
lirim, bërtet gjithkah Malcija; A ka lirim ky dhé që na shklet kamba, a
veç t'mjerin e mblon anembanë robnija? Flutro, shqype, flutro kah çilet
lama, siellju maleve për rreth që ka Shqypnija, e vështroje ku
i del lirimit ama. ................................. - VI
- Por nuk u shuejti edhe, jo, Shqyptarija: Lodhun prej hekrash
që mizori i njiti, lodhun prej terri ku robnimi e qiti, shpreson
me e zgjue fluturim mënija. E kqyrë: Ndër male po përhapet shkëndija e
lirimit t'Atdheut; mshehtas shetiti kësollë për kësollë rreth buneve e soditi frymë
të re tue shprazun për gjithkahna, hija e Skanderbegut. Qe ndër djepa rrisin nanat
e Hotit djelmëninë ushtore e idhnim n'armikun nëpër gji i u qisin. E
nalt, ndër maje, bukuri mbretnore, hapi flatrat e mnershme qi përshndrisin, me
thoj t’harkuem shqypeja arbënore! Gjuha shqipe
Përmbi za
që lshon bylbyli, gjuha shqipe m'shungullon përmbi er' që jep
zymbyli, pa da zemren ma ngushllon. Ndër komb' tjera, ndër dhena
tjera, ku e shkoj jetën tash sa mot, veç për ty m'rreh zemra e
mjera e prej mallit derdhi lot. Nji kto gjuhë që jam tue ndie, jan'
të bukra me themel por prap' kjo, si diell pa hije, për mue t'tanave
iu del. ................................ Ku n'breg t'Cemit rritet trimi me
zbardh, Shqipe, zanin tand, e ku Drinit a burimi që shpërndahet
kand e kand. Geg' e tosk', malsi, jallia jan' nji komb, m'u da,
s'duron; fund e maj' nji a Shqipnia e nji gjuh' t'gjith' na bashkon. Qoftë
mallkue kush qet ngatrrime ndër kto vllazën shoq me shoq, kush
e dan me flak' e shkrime çka natyra vet' përpoq. Por me gjuhë
kaq t'moçme e mjera si nj'bij' kjo që pa prind mbet: për t'huej
t'mbajshin dhenat tjera, s't'kishte kush për motër t'vet. E njat
tok' që je tue gzue, e ke zan' tash sa mij' vjet, shqiptaria,
që mbet mblue sot nën dhe, edhe shqip flet.