2009-11-19 14:28:23

Papa: universitetet katolike kanë një rol të pazëvendësueshëm në shoqëri


(19.11.2009 RV) Papa kërkon nga universitetet katolike një sintezë të re humaniste dhe mbështet universitetet katolike në gërshetimin e fensë me kulturën.
Një humanizëm i ri, një dije “ e shndritur nga feja” që t’i japë limfë shoqërisë që është viktimë e relativizmit, e që të jetë “dije e aftë ta orientojë njeriun në dritën e parimeve themelore e të synimeve të tij të fundit”: këtë uroi Papa Benedikti XVI në fjalimin që u drejtoi sot paradite në Vatikan profesorëve e studentëve të universiteteve papnore romake e të Federatës ndërkombëtare të universiteteve katolike, me rastin e 60 vjetorit të njohjes nga ana e Selisë së Shenjtë të statutit të Federatës Ndërkombëtare të Universiteteve Katolike dhe të 30-të vjetorit të shpalljes së Kushtetutës apostolike “Sapientia christiana” nga Gjon Pali II.
Papa Benedikti XVI kujtoi Deklaratën e koncilit të Vatikanit të II “Gravissimum educationis” e cila “këshillonte Fakultetet kishtare të thellohen gjithnjë e më tepër në fusha të ndryshme të shkencave të shenjta, për të pasur kështu një njohje gjithnjë e më thellë të Dëftimit, për të zbuluar thesaret e dijes së krishterë, për të favorizuar dialogun ekumenik dhe ndërfetar, si dhe për t’i dhënë përgjigje problemeve që ngrihen në fushën kulturore”.
Më tej, në fjalimin e tij Ati i Shenjtë Jozef Racinger kujtoi edhe Kushtetutën apostolike Sapientia Christiana ( Dija e Krishterë), shpallur para 30 vjetësh nga Gjon Pali II me 15 pril 1979, duke ripohuar “urgjencën, akoma sot aktuale, të kapërcimit të ndarjes që ekziston ndërmjet fesë e kulturës, e duke ftuar në një impenjim përherë e më të madh të ungjillëzimit, me bindje të plotë se Dëftimit i krishterë është forcë shndërruese, që synon t’i përshkojë dhe brumojë mënyrat e të menduarit, kriteret e gjykimit, normat e veprimit”. “Ajo - theksoi Papa - është në gjendje t’i ndriçojë, pastrojë e ripërtërijë doket e njerëzve e kulturat e tyre dhe për këtë duhet të përbëjë pikën qendrore të mësimit e të kërkimit, si dhe të horizontit që ndriçon natyrën dhe qëllimin e çdo Fakulteti kishtar”.
Duke folur për realitetin dhe ekzistencën e institucioneve akademike e universitare katolike, Papa Racinger kujtoi se “sot ka mbi 1.300 Universitete katolike e afër 400 fakultete kishtare, të përhapura në të gjitha kontinentet, pjesa më e madhe e të cilave janë ndërtuar në dekadat e fundit, si dëshmi e vëmendjes gjithnjë e më të madhe që Kisha ka për formimin e njerëzve kishtarë e të laikëve në fushën e kulturës e të hulumtimit”.
Benedikti XVI i nxiti të pranishmit “që përmes kërkimeve teologjike të arrijnë në një njohje sa më të thellë të së vërtetës së dëftuar”, duke inkurajuar “në të njëjtën kohë, kontaktet me fushat tjera të dijes, për një dialog të frytshëm, e me qëllim që ti ofrohet një kontribut i çmueshëm misioneve që Kisha është e thirrur t’i zhvillojë në botë”. Së fundit Papa përmendi rolin e pazëvendësueshëm që kanë Universitetet katolike e Fakultetet kishtare “në detyrën e rëndësishme të mësimit, të studimit e të hulumtimit në shërbim të Kishës e të mbarë shoqërisë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.