2009-11-18 15:03:26

Shqipëri: Ministri i Brendshëm i Italisë, Maroni do të mbështesë heqjen e vizave për qytetarët e Shqipërinë në BE.


(18.11.2009 RV)Impenjimi i ministrit të brendshëm të Italisë, Roberto Maronit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Shqipërisë brenda vendeve anëtare të BE-së. Në takimin e sotëm në Tiranë me homologun shqiptar Lulzim Basha, Maroni ka siguruar se “Italia do të mbështesë” këtë çështje në mbledhjen e ardhshme të ministrave të brendshëm të Bashkimit Evropian dhe uroi që liberalizimi i vizave të realizohet “që nga mesi i vitit 2010”.
Ministri i Brendshëm i Italisë Maroni vlerësoi Shqipërinë si një partner shumë të rëndësishëm strategjik në terrenin e sigurisë, ndaj beson se bashkëpunimi do të jetë i dobishëm në termat e shkëmbimit të informacionit, të njerëzve dhe të të gjitha elementeve të tjerë."Për këtë motiv Italia mbështet përpjekjet e qeverisë shqiptare për të realizuar kushtet për një hyrje të shpejtë në Unionin Europian, si dhe mbështesim kërkesën për liberalizimin e vizave", vazhdoi më tej ministri Maroni.
Vizita e ministrit italian në Shqipëri u realizua pas vendimit të BE që e deklaroi pranimin e kërkesës së Shqipërisë për aderimin e plotë në Bashkimin Evropian, pa caktuar një datë të saktë për fillimin e negociatave. Italia, tha Maroni, mbështet impenjimin e qeverisë shqiptare në përmbushjen e të gjitha kushteve për një hyrje të shpjet në BE.
Nga ana e tij ministri shqiptar Basha prezantoi punën e bërë nga qeveria e Tiranës në luftën kundër trafikut dhe krimit të organizuar si dhe vlerësoi numrin e lartë të prodhimit të pasaportave biometrike sipas standarteve evropiane.

Qeveria shqiptare do të realizojë të gjitha kushtet e vendosura nga Komisioni Evropian në mënyrë që qytetarët shqiptarë të mund të lëvizin lirshëm, u shpreh të mërkurën Kryeministri Berisha gjatë takimit me ministrin e Brendshëm të Italisë, zotin Roberto Maroni.
Zyra e shtypit e Kryeministrisë bëri të ditur se Kryeministri Berisha shprehu në këtë takim mirënjohjen për ndihmën dhe solidaritetin e madh te qeverise dhe popullit italian në të gjitha drejtimet, duke i vlerësuar marrëdhëniet dhe bashkëpunimi me qeverinë italiane të një rëndësie të jashtëzakonshme.
Duke folur për liberalizimin e vizave, Kryeministri Berisha tha se "Ai dhe qeveria e tij e shohin integrimin dhe liberalizimin e vizave si një proces të bazuar në performancë dhe në të mirë të qytetarëve të vendit".
Kreu i qeverisë u shpreh se "Italia i njeh përpjekjet dhe arritjet e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve dhe si e tillë mund të jetë avokati më i mirë i Shqipërisë në proceset integruese".
Nga ana e tij, Ministri i Brendshëm italian, Roberto Maroni, shprehu nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit të fushën e sigurisë dhe luftës kundër krimit të organizuar midis dy vendeve. Duke folur për procesin e liberalizimit të vizave, ministri Maroni shprehu besimin se "Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së do t'i hapë rrugë liberalizimit të vizave në mesin e vitit të ardhshëm". Sipas tij, integrimi i vendeve të Ballkanit në Bashkimin Evropian është një proces i natyrshëm.
Kryeministri Berisha e njohu ministrin Maroni me masat qe ka ndërmarrë qeveria shqiptare për të goditur krimin e organizuar, si dhe vuri në dukje suksesin e luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha përmendi miratimin së shpejti në parlament të ndryshimeve në ligjin për masat kundër krimit të organizuar, që do të bëjë të mundur goditjen dhe parandalimin e tij me anë të masave shtrënguese dhe sekuestrimit të pasurive të vëna në mënyrë të jashtëligjshme.
Ministri Maroni mbështeti qëndrimin e Kryeministrit Berisha për nevojën e rritjes dhe forcimit të bashkëpunimit të policive dhe agjencive të të dy vendeve në goditjen e krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe në veçanti koordinimit në masat shtrënguese kundër pasurisë të fituar në mënyrë kriminale. Në këtë kuadër, zoti Maroni u shpreh se mënyra me efikase e luftës kundër mafies është konfiskimi i te ardhurave kriminale.







All the contents on this site are copyrighted ©.