2009-11-18 17:55:35

Papa në audiencën e përgjithshme: katedralet e Mesjetës na kujtojnë se bukuria është rrugë mahnitëse për ta takuar Zotin.


(18.11.2009 RV)Bukuria është ndoshta rruga më tërheqëse e më mahnitëse, për të arritur në takimin me Zotin e për ta dashur Atë. E pohoi këtë Papa Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sallën e Palit VI në Vatikan, gjatë së cilës shpjegoi sesi arti romanik e gotik, i simbolizuar në katedralet, krijoi kushtet e përshtatshme për të edukuar në fe brezni të tëra të krishtera gjatë periudhës së Mesjetës. Papa iu drejtua simbolikisht artistëve, të cilët do t’i takojë të shtunën e ardhshme e, në përfundim të takimit të së mërkurës, bëri thirrje në favor të të gjithë fëmijëve që vuajnë, kudo në botë, 20 vjet pas adoptimit të Konventës së OKB-së për të drejtat e fëmijës.

“Ndodh që bota (...) duke flakur nga trupi leckat e vjetra, dëshiron të vishet kudo me rrobet e bardha të kishave të reja”. Bota e përshkruar me këto fjalë të Rodolfo Glabros (Rudolfit të Shogët), murg i lashtë francez, njëri nga kronistët më të mëdhenj mesjetarë – është ajo që, duke u nisur nga shekulli i 11-të, për të vijuar deri në të 13-tin, pa duke u ngritur në Evropë një numër tejet të madh Kishash, të reja ose të rindërtuara, ndërmjet të cilave spikasin katedralet, që Papa i quajti “lavdia e vërtetë e mesjetës së krishterë”. Jemi në një botë me qytete e mirëqenie gjithnjë më të përhapur, që përmes rrugëzgjidhjeve arkitektonike ose artistike dëshiron të shprehë, me forma të reja arti, rizgjimin e shpirtrave, me burim në zellin shpirtëror të monakizmit. Në këtë audiencë Benedikti XVI nuk u ndalua tek portreti i ndonjërit nga mendimtarët e mëdhenj kristianë të Mesjetës e tek kryevepra e tij teologjike, por tek kryeveprat e artit romanik e gotik, protagoniste të kësaj epoke. Zhvilloi, kështu, një katekizëm të pasionuar e rrëmbyes, nisur nga analiza e tharmit, që solli lindja e stilit romanik:
“Arkitektët zbulonin rrugë teknike gjithnjë më të përpunuara për të shtuar përmasat e ndërtesave, duke siguruar njëkohësisht qëndresën e madhështinë e tyre (...). Lindën kështu kishat e katedralet romanike, të cilat dallohen për navatat e gjata, që mund të zinin një numër gjithnjë më të madh besimtarësh; kisha shumë të forta, me mure të trasha, me qemere prej guri e me vija të thjeshta”.
Nga veriu i Francës së viteve 1300 e 1400 – vijoi Papa – u përhap një tip tjetër arkitekture kishtare: gotiku. Në se romaniku i kushtonte vëmendje përmasës së gjatësisë, gotiku – tha Papa – parapëlqeu lartësinë, harqet e mprehta, zhvillimin vertikal e ndriçimin shumëngjyrësh. Harqet e mprehta gotike, ndonëse nuk duken shumë të forta, e shpërndajnë peshën e gurëve njëlloj mbi të gjitha shtyllat e katedrales. Janë harqet që e mbajnë karabinanë. Kështu nuk ndjehet nevoja për të bërë mure tepër të trasha, ndërsa mund të realizohen hapësira të mëdha për vetratat. Si rezultat ndërtesa mbushet me dritë e me ngjyra mahnitëse:
“Katedralet gotike ishin sintezë e fesë dhe e artit, shprehur me harmoni përmes gjuhës universale e mahnitëse të bukurisë, që vijon të na mrekullojë edhe sot e kësaj dite. Falë ngritjes së qemereve me harqe të mprehta, që mbështeteshin mbi shtylla të fuqishme, u bë e mundur të rritej ndjeshëm lartësia. Hovi i ndërtesës drejt lartësive tingëllonte si ftesë për t’u lutur, duke e bërë vetë ndërtesën një lutje prekëse. Katedralja gotike përpiqej të shprehte kështu, me vijat e saj arkitektonike, dëshirën e pashuar të shpirtërave për t’u lartuar drejt Zotit”.
Papa krahasoi edhe rrugët që u zgjodhën për zbukurimin e ndërtesave kishtare në të dy stilet. Skulpturat romanike, risi në zbukurimin e Kishave, kishin prirjen për t’i edukuar besimtarët me përshtypje të forta. Këtë funksion e kryenin posaçërisht portalet e Kishave, që ndajnë tempullin dhe hapësirën kishtare, nga pjesa për përdorim të përditshëm.
Ndërsa në katedralet gotike, vëmendjen ta tërheqin posaçërisht vetratat e realizuara me ngjyra të ndezura, që e shndërrojnë historinë e shëlbimit në një ujëvarë drite, e cila nuk mund të mos e tërheqë shikimin e njeriut, që hyn në ngrehina të tilla. Një vlerë tjetër e katedraleve gotike – shpjegoi Papa - qëndron në faktin se në ndërtimin e në zbukurimin e tyre:
“… në mënyrë të ndryshme, por të njëzëshme, merrte pjesë e gjithë bashkësia e krishterë e civile: merrnin pjesë të varfër e të pasur, analfabetë e dijetarë, sepse katedralja ishte shtëpia e përbashkët, në të cilën edukoheshin në fe të gjithë besimtarët. Skulptura gotike i bëri katedralet ‘Bibël guri”.
Në sfond të këtyre pohimeve të Benediktit XVI duhet vërejtur ngjarja e shumëpritur e së shtunës së ardhshme, kur Papa do të takohet, në Vatikan, me disa qindra artistë nga mbarë bota. Prandaj Ati i Shenjtë pohoi se dëshiron ta ripropozojë lidhjen e miqësisë ndërmjet përshpirtërisë e artit, që e patën në qendër të vëmendjes Pali VI e Gjon Pali II:
“Një artist, që e dëshmoi gjithnjë takimin e estetikës me fenë, Mark Shagal, ka shkruar se ‘ piktorët në shekuj e ngjyen penelin e tyre në këtë alfabet ngjyrash, që është Bibla’. Kur feja, posaçërisht e kremtuar në liturgji, takohet me artin, krijohet një përkim i thellë, sepse të dyja mund e duan të flasin për Zotin, duke e bërë të dukshëm, të Padukshmin”.
E, duke cituar Shën Agostinin kur pohon se në bukurinë e natyrës e të krijesave shikon pasqyrimin e ‘Bukurisë së pandryshueshme’ të Krijuesit, Benedikti XVI e përfundoi katekizmin me fjalët:
“Të dashur vëllezër e motra, Zoti na ndihmoftë ta zbulojmë rrugën e bukurisë, si një nga shtigjet, ndoshta më tërheqëse e më mahnitëse, në përpjekjen për ta takuar e për ta dashur Zotin”.
Gjatë përshëndetjeve, Benedikti XVI kujtoi veçanërisht pjesëmarrësit në plenaren e Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, të cilët i falënderoi për impenjimin bujar në favor të përhapjes së mesazhit ungjillor.
Në përfundim të audiencës, Papa kujtoi se pasnesër, pranë Kombeve të Bashkuara do të organizohet Dita Botërore e Lutjes dhe e Veprimtarisë për Fëmijët.







All the contents on this site are copyrighted ©.