2009-11-18 16:01:28

Një bashkëpunim strategjik mes Uashingtonin e Pekinit. Obama le Kinën për në Korenë e Jugut etapa e fundit e misionit të tij në Azi


(18.11.2009 RV)Pasi përfundoi vizitën e tij në Kinë, presidenti amerikan Barak Obama mbërriti sot në Seul, etapa e katërt dhe e fundit e turneut të tij aziatik. Takimi i fundit kinez ishte ai me kryeministrin Uen Zhiabao. “Dialogu është më i mirë se konflikti dhe partneriteti është më i mirë se rivaliteti”, i tha Uen presidentit amerikan në bisedimet që zgjatën një orë, gjatë të cilave i kërkoi Obamës një bashkëpunim në të gjitha fushat.
Nga ana e tij presidenti amerikan e quajti vizitën e tij në Kinë si të frytshme. Marrëdhëniet, që bazoheshin më parë vetëm në çështje ekonomike e tregtare, zgjerohen tani edhe me çështje të tjera globale, ku bashkëpunimi SHBA-Kinë është vendimtar, theksoi Obama.
Presidenti pati mundësinë të flasë edhe për tema të tjera në një intervistë me CNN. Ai deklaroi se javët e ardhshme do të vendosë nëse do të dërgohen edhe 40 mijë ushtarë të tjerë amerikanë në Afganistan, duke përcaktuar afate dhe kosto. Obama reagoi edhe ndaj lajmit se Izraeli do të ndërtojë ngulime të reja në Jeruzalem, duke theksuar se kjo nuk është rruga për të krijuar më tepër siguri në Izrael e natyrisht, do të shkaktojë probleme me fqinjët.
Ndërkaq, për herë të parë që nga zgjedhja e tij si president, Barak Obama nuk gëzon më simpatinë e shumicës së popullsisë. Sipas një sondazhi të Universitetit “Quinnipiac”, atë e mbështesin vetëm 48% e amerikanëve.
Burgu i Guantanamos nuk do të mbyllet në janar 2010. Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama pranon për herë të parë hapur, se baza amerikane në Kubë, ku janë burgosur qindra “armiq” të Uashingtonit nuk do të mbyllet sipas kohëve të përcaktuara prej tij. Në një intervistë me televizionin Fox nga Pekini, Obama tha se nuk habitet për këtë shtyrje, pasi dihej që mbyllja në afat do të ishte e vështirë. Gjithsesi, ai siguroi se burgu i Guntanamos do të mbyllet brenda vitit 2010.







All the contents on this site are copyrighted ©.