2009-11-18 17:56:40

Dialogu dhe respektimi i të drejtave të njeriut, në takimin e Papës me presidentin e Burundit


(18.11.2009 RV)Dje pasdite, në Pallatin Apostolik, Benedikti XVI priti në audiencë presidentin e Burundit, Pierre Nkurunziza, i cili më pas bisedoi edhe me kardinalin Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit dhe me kryeipeshkvin Dominik Mambertì, sekretar për marrëdhëniet me shtetet.
Gjatë të dy takimeve, që u zhvilluan në një atmosferë të përzemërt e miqësore – njofton një komunikatë e Sallës vatikanase të Shtypit - u prekën argumente me interes të përbashkët, si rëndësia e dialogut dhe respektimi i të drejtave të njeriut, elemente themelore për ndërtimin e një shoqërie të drejtë, që përpiqet për të mirën e të gjithë anëtarëve të saj. U ripohua edhe se Kisha është e gatshme të japë ndihmesën e vet për zhvillimin e gjithanshëm të Kombit burundez në fushën shpirtërore, edukative, shëndetësore dhe shoqëroro-humanitare. Për këtë, u urua të arrihet sa më parë një marrëveshje, që të përcaktojë e të garantojë statusin juridik të Kishës e të veprimtarive të saj në vend.
Presidenti i Burundit, që ka ardhur në Romë për t’u takuar me Papën e për të marrë pjesë në Takimin e rangut të lartë të Fao-s për sigurinë ushqimore, dje ishte i pranishëm në një konferencë shtypi pranë selisë të Bashkësisë së Shën Egjidit në Romë, gjatë së cilës përshkroi hollësisht situatën në vendin e tij dhe procesin e rindërtimit këto katër vjet të demokracisë, pas 20 vjet lufte civile. Foli për një vend që është bërë model i paqes në të gjithë Afrikën, duke përballuar edhe problemet e përditshme, si uria, varfëria, analfabetizmi. Burundi po jeton një stinë të re, në të cilën ndjehet fort dëshira për pajtim, pas viteve të gjata të luftës, që çoi buzë greminës materiale e shpirtërore, vendin e banorët e tij – tha presidenti burundez - e në vijim u ndal tek reformat e rëndësishme, si ajo shëndetësore, që siguron mjekimin falas të fëmijëve deri në moshën pesë vjeç e të grave shtatzëna; lindja e shkollës fillore publike e, sidomos, veprimtaritë e jashtëzakonshme për pajtim, përmes impenjimit të përbashkët, që përfshin mbarë popullsinë në ngritjen e shkollave, të spitaleve e të banesave, edhe për mijëra refugjatë, që po rikthehen në Burundi pas përfundimit të luftës. E pikërisht në fushën e pajtimit e të zhvillimit Kisha luan një rol të dorës së parë, siç theksoi edhe presidenti Pierre Nkurunziza:
R. – Nous sommes dans une phase de préparation électorale …
Jemi në një fazën përgatitore të zgjedhjeve elektorale e të pajtimit kombëtar; në çdo fushë ku punon Kisha, ndjehet fort fryma e këtij pajtimi. Kisha ka luajtur rol të rëndësishëm edhe përmes aktivizimit të Komisionit kombëtar, me bindjen se pajtimi e falja janë vlera dalluese të të krishterit. Mund të themi, prandaj, se Kisha po jep një ndihmesë tejet të rëndësishme në këtë fazë vendimtare të pajtimit kombëtar”.
Në përfundim Presidenti shpjegoi se dega kryesore e ekonomisë është bujqësia, posaçërisht frutikultura. Kujtoi se gjatë kohëve të fundit u mbollën 25 milionë pemë frytore, ndërsa në vitin 2010 do të mbillen edhe 40 milionë të tjera. E kjo, sepse prodhimi i frutave për eksport mund të bëhet motori i një ekonomie vërtetë të re, por plot zell për zhvillim të shpejtë; zhvillim që sjell jo vetëm begatinë, por edhe e kryesisht, paqen!







All the contents on this site are copyrighted ©.