Sot me 16 nëntor kalendari Kishtar përkujton Shën Margeritën e Skocisë.
(16.11.2009 RV)Margerita e Skocisë lindi në mërgim, pranë oborrit mbretëror
të Shën Shtjefnit të Hungarisë, më 1046. Ishte bija e Eduardit mërgimtar dhe e Ages,
motra e mbretëreshës hungareze dhe mbesa e mbretit Edmondi II. Në vitin 1054,
së bashku me familjen, u rikthye në atdhe pas pushtimit të Anglisë nga normanët. Gjeti
strehim në Skoci, pranë oborrit mbretëror të Malkolmit III, me të cilin u martua në
vitin 1069. Menjëherë pas martesës nisi të ndjehet fuqimisht ndikimi i saj
në oborrin mbretëror skocez. Falë kulturës të jashtzakonshme dhe këshillave të vlefshme
që i jepte të shoqit, vendi nisi të përparonte dukshëm. Nën mbrojtjen e
saj u bënë disa reforma liturgjike, u ndërtua abacia e Trinisë në Dunfermlin, u rivendos
praktika e agjërimit kreshmor dhe e kungimit për Pashkë. Nga martesa me Malkolmin
III pati gjashtë djem e dy vajza, të cilëve u dha një edukatë thellësisht të krishterë.
Tre prej djemëve do të bëheshin mbretër të Skocisë. E ndërsa përballonte punën për
edukimin e fëmijëve e kujdesej për oborrin mbretëror, ajo nuk i harroi kurrë të varfërit,
të vuajturit, të sëmurët e jetimët. Prandaj nënshtetasit e deshën shumë. Në
vitin 1093 iu desh të përballojë një humbje të madhe: i vdiq bashkëshorti, Malkolmi
III dhe trashëgimtari i tij, djali i madh, Eduardi, që u vranë në një pritë pranë
Alnvikut. Duke mos mundur ta përballojë dhimbjen e thellë, mbretëresha u sëmur e vdiq
pak kohë pas tyre. U varros në një varr me mbretin në abacinë e Dunfermlinit, ndërtuar
prej saj. Shumë shpejt varri i mbretëreshës u bë cak shtegtimesh. U shpall shenjte
në vitin 1249 nga Papa Inoçenci IV, ndërsa Pajtore e Skocisë, në vitin 1673.