Papa Benedikti XVI takon shkurt Presidentin e Shqipërisë Topi në Samitin e FAO-së.
(16.11.2009 RV)Sot në kuadër të punimeve të Samitit Botëror të Organizatës
së Ushqimit dhe Bujqësisë së OKB-së, (FAO), "Mbi sigurinë e ushqimit", i mbledhur
në Romë, Atin i Shenjtë, Papa Benedikti XVI-të përshëndeti shkurt disa lider e kryetarë
Shtetesh, ndër të cilët edhe me Presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi, i shoqëruar
nga Zonja e Parë, Teuta Topi,. Zyra e shtypit e Presidencës së Shqipërisë
njofton se pas zgjedhjes së Kryetarit dhe zëvendëkryetarëve dhe aprovimit të Deklaratës
së Samitit Botëror për 'Sigurinë e Ushqimit', Shenjtëria e Tij, Papa Benedikti XVI-të,
i cili hapi sesionin e parë plenar me fjalimin e tij, u takua me Presidentin Topi
dhe Zonjën e Parë në mjediset e FAO-s në Romë. Kreu i shtetit shqiptar vlerësoi
marrëdhëniet shumë të mira historike të Shqipërisë me Selinë e Shenjtë, duke falënderuar
Atin e Shenjtë për ndihmesën e çmuar dhe rolin që Vatikani e Kisha Katolike kanë luajtur
në ringjalljen shpirtërore dhe fetare të besimtarëve shqiptarë dhe parimeve e vlerave
të shenjta. Presidenti Topi dhe Ati i Shenjtë vlerësuan harmoninë, tolerancën
dhe bashkëjetesën fetare që e shquan vendin tonë përsa i përket marrëdhënieve mes
tri besimeve të ndryshme, duke nënvizuar rëndësinë e nxitjes së bashkëpunimit dhe
mirëkuptimit midis feve. Ati i Shenjtë vuri në pah lidhjet e vjetra historike
e kulturore të Shqipërisë me familjen evropiane, si dhe shprehu mbështetjen e tij
të plotë për përmbushjen e aspiratës së popullit shqiptar për t'u bërë pjesë edhe
zyrtarisht, përveç se gjeografikisht, e Evropës së Bashkuar. Në emër edhe
të mbarë popullit shqiptar, Presidenti Topi e ftoi Atin e Shenjtë, Papën Benediktin
XVI-të që të vizitojë vendin tonë, ftesë e cila u mirëprit me shumë kënaqësi nga Shenjtëria
e Tij dhe kjo vizitë mbetet për t'u realizuar në një kohë të përshtatshme.
Në kuadër të punimeve të Samitit Botëror për "Sigurinë Ushqimore" Presidenti Topi
u takua dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, me Drejtorin e Përgjithshëm
të FAO-s, Zhak Diuf, me Presidenti slloven Tyrk, atë brazilian, Lula, si dhe me kryetarë
të tjerë shtetesh e qeverish, të cilët përfaqësojnë vendet e tyre në këtë Samit të
rëndësishëm ndërkombëtar. Tema qendrore e punimeve dyditore të Samitit
është siguria ushqimore botërore, me vëmendje të posaçme angazhimin global mbi çrrënjosjen
e shpejtë e të plotë të urisë në botë, për të cilën 60 krerët pjesëmarrës të shteteve
e qeverive do të miratojnë dhe një deklaratë të përbashkët. nga ATSH-ja.