2009-11-16 20:28:25

Në Shqipëri përkujtohet ekzekutimi i 39 intelektualëve shqiptarë


(16.11.2009 RV)Pikërisht, 65-vite më parë, 39 intelektualë shqiptarë u pushkatuan nga terrori komunist në rrethinat e Tiranës, midis datave 28 tetor - 16 nëntor të vitit '44.
Përmes një aktiviteti përkujtimor për nder të tyre, organizatorët e shoqatës "Qendra Shqiptare e Rehabilitimit të Traumës dhe Torturës", me mbështetjen e Ambasadës Amerikane, mblodhën në një nga sallat e hotel "Sheraton" në Tiranë, qindra të ftuar, mes tyre dhe vetë ambasadorin amerikan, John Withers, ish-presidentin Alfred Moisiu, përfaqësues të besimeve fetare në Shqipëri si dhe familjarë të 39 viktimave.
"Nuk duhet të habitemi se si ende edhe sot nuk është kryer dekomunizimi! Ky është dështimi i misionit antikomunist...", do të komentonte ndër të tjerash në fjalën e hapjes të këtij aktiviteti përkujtimor, kushtuar 39 intelektualëve shqiptarë, aktivisti i të drejtave të njeriut, ish i burgosuri politik, Besim Ndregjoni.
"Ata u ekzekutuan vetëm sepse i shërbenin borgjezisë anglo-amerikane dhe jo proletariatit", u shpreh ndër të tjerash ambasadori Withers, ndërsa më tej ai bëri një paralelizëm mes "të djeshmes" dhe "të sotmes", ku beteja e njerëzve me ideale, duhet të jetë më aktive.
Ndërsa, përfaqësuesi i presidencës, në emër të Presidentit Bamir Topi, deklaroi se "ata qenë mendjet e lira", ndërsa ekzekutimi sipas tij, ndodhi pasi "pikërisht këta njerëz, konsideroheshin nga diktatura, si të rrezikshëm për të ardhmen". nga ATSH-ja







All the contents on this site are copyrighted ©.