2009-11-16 17:37:30

Benedikti XVI Fao-s: të njohësh vlerën e mbinatyrshme të çdo njeriu, është hapi i parë për zhdukjen e urisë e të mjerimit.


(16.11.2009 RV)Planeti ka ushqim të mjaftueshëm për të gjithë, duhet të bashkojmë forcat për të fituar mbi urinë! Është thirrja e fuqishme e Benediktit XVI, drejtuar sot paradite nga Pallati i Fao-s në Romë, në sesionin e hapjes së Takimit botëror të rangut të lartë për Sigurinë Ushqimore. Ati i Shenjtë nënvizoi se për ta mundur urinë, duhet njohur vlera e mbinatyrshme e njeriut.
Fjalimi historik i Papës u mbajt në praninë e shumë personaliteteve të larta shtetërore, ardhur nga mbarë bota. Ndërmjet tyre, sekretari i përgjithshëm i OKB, Ban Ki-mun dhe drejtori i përgjithshëm i Fao-s, Zhak Diuf, që i drejtoi një përshëndetje të posaçme Benediktit XVI:
“ La faim est le signe le plus cruel et le plus concret de la pauvreté...
Uria është caku më mizor e më konkret i varfërisë. Nuk është e mundur më të pranohen kamja e shpërdorimi, kur drama e urisë merr përmasa gjithnjë më të mëdha”.
Papa ripohoi impenjimin e Kishës katolike për t’i mbështetur me fjalë, me vepra e me solidaritet, të gjitha përpjekjet, që kanë për qëllim ta zhdukin urinë:
“L’Église ne prétend pas interférer dans les choix politiques...
Kisha – siguroi Ati i Shenjtë – nuk pretendon të ndërhyjë në rrugëzgjidhjet politike; ajo, plot respekt për njohuritë dhe rezultatet e shkencave, si dhe për rrugët e përcaktuara nga arsyeja, kur ndriçohen nga vlerat e vërteta njerëzore, bashkon forcat me të gjithë njerëzit, që përpiqen për zhdukjen e urisë”.
Kemi nevojë për solidaritet të frymëzuar nga dashuria – tha Papa – gjë që duhet bërë pa vonesa e pa kompromise. Ky solidaritet – vërejti në vijim Benedikti XVI – i beson teknikës, ligjeve e institucioneve, por pa e përjashtuar përmasën fetare, me forcën e saj të pushtetshme shpirtërore e me kujdesin për zhvillimin e gjithanshëm të njeriut:
“Reconnaître la valeur transcendante de tout homme...
Ta njohësh vlerën e mbinatyrshme të çdo burri e të çdo gruaje – vërejti Benedikti XVI - mbetet hapi i parë për të favorizuar kthesën e zemrës, që mund të mbështesë impenjimin për çrrënjosjen e mjerimit, të urisë e të varfërisë, në të gjitha format e saj:
“Dans ce contexte, il est aussi nécessaire de contester...
Në rrethana të tilla – reflektoi Ati i Shenjtë – është e nevojshme të kundërshtohet edhe përdorimi i disa formave të subvencionit, që e trondisin rëndë sektorin bujqësor; këmbëngulja e gabuar për përdorimin e modeleve ushqimore, që vënë në plan të parë konsumin, pa llogaritur perspektivat me rreze më të gjërë e, posaçërisht, egoizmi, që i hap spekullimit rrugët për të hyrë deri në tregjet e drithërave; prej këndej, ushqimi konsiderohet si masë e të gjitha mallrave të tjera”.
Në vijim Papa foli për bashkëpunimin ndërkombëtar që, saktësoi, duhet të përkojë me parimin e ndihmës. E kjo, sepse zhvillimi i gjithanshëm njerëzor ka nevojë për rrugëzgjidhje plot përgjegjësi nga ana e të gjithëve e kërkon një solidaritet të tillë, që nuk i konsideron ndihmën ose emergjencën si mjete për t'i vënë pasuritë në dispozicion të grupeve elitare, të cilat përfitojnë të parat prej tyre. Bashkësia ndërkombëtare duhet ta ndjejë përgjegjësinë e saj të përbashkët, kur është fjala për zhvillimin e vendeve më të varfëra:
“Au sein de ce contexte de responsabilité se situe le droit...
Brenda këtij konteksti – pohoi Papa – përfshihet edhe e drejta e secilit vend për të përcaktuar modelin e vet ekonomik, duke parashikuar mënyrat, të cilat garantojnë lirinë e rrugëve që duhen zgjedhur e të qëllimeve që duhen arritur. Në një perspektivë të tillë, bashkëpunimi duhet të bëhet mjet i frytshëm, i çliruar nga pengesat e interesat, që mund të thithin një pjesë të mirë të burimeve të caktuara për zhvillimin. Ka rëndësi të nënvizohet se rruga solidare për zhvillimin e vendeve të varfëra, mund të bëhet rrugë që çon edhe në zgjidhjen e krizës globale, në vijim e sipër”.
Në situatën e sotme – vijoi Papa – vërejmë ende një nivel zhvillimi të pabarabartë në gjirin e kombeve e ndërmjet tyre. E kjo e thekson edhe më shumë kontrastin ndërmjet pasurisë e varfërisë. Nga ana tjetër - vërejti Benedikti XVI – ekziston rreziku që uria të shikohet si fenomen strukturor, si pjesë përbërëse e realiteteve shoqëroro-politike të vendeve të ligështa, si objekt pakënaqësie ose indiference:
“Il n’en est pas ainsi, et il ne doit pas en être ainsi...
Nuk është kështu, e nuk duhet të jetë kështu! – tha Papa. - Për ta luftuar e për ta mundur urinë, është e rëndësishme t’i ripërcaktojmë konceptet e parimet, që janë zbatuar deri tani në marrëdhëniet ndërkombëtare”.
Ç’gjë mund ta orientojë vëmendjen dhe sjelljen e Shteteve ndaj nevojave që kanë të varfërit? - pyeti Papa. Përgjigjja – tha Ati i Shenjtë – nuk duhet kërkuar në natyrën operative të bashkëpunimit, por në parimet, që duhet ta frymëzojnë atë: vetëm në se pranohet që të gjithë i përkasin familjes universale njerëzore, mund t’i kërkohet çdo populli e, prej këndej, edhe çdo vendi, të jetë solidar, duke favorizuar ndarjen e përbashkët të pasurive, bazuar mbi dashurinë.
Në vijim Papa pohoi me forcë: “Është e vërtetë se solidariteti i frymëzuar nga dashuria i kalon caqet e drejtësisë, por nuk është kurrë pa drejtësi, sepse: “Nuk mund t’i jap tjetrit gjënë time, në se në radhë të parë nuk i jap atë, që i takon sipas drejtësisë”:
“Si on vise l’élimination de la faim, l’action internationale...
Në se synohet vërtetë të zhduket uria – pohoi Papa - veprimtaria ndërkombëtare është e thirrur jo vetëm të favorizojë zhvillimin ekonomik të drejtpeshuar e të qëndrueshëm, si dhe stabilitetin politik, por edhe të kërkojë parametra të reja – së pari etike, e pastaj juridike dhe ekonomike – që janë në gjendje të frymëzojnë veprimtari bashkëpunimi për krijimin e lidhjeve të barabarta ndërmjet vendeve në shkallë të ndryshme zhvillimi”.
Papa ngriti zërin që tregu ndërkombëtar të jetë i hapur për prodhimet e zonave më të varfëra, të cilat kështu mund të sigurojnë më shumë të ardhura, garanci e zhvillimit e prelud i sigurisë ushqimore.
Krahas ushqimit, Papa kujtoi edhe të drejtën themelore për furnizimin me ujë, pa dallime e diskriminime, si dhe lidhjen e ngushtë ndërmjet zhvillimit e mbrojtjes së ambientit, sfidë kjo e fundit, për sigurimin e një zhvillimi më të harmonishëm, që respekton planet krijuese të Zotit e kështu është në gjendje ta shpëtojë Planetin nga shumë rreziqe, ndërmjet të cilave theksoi fenomenin e ndryshimeve klimaterike:
“Des normes, des législations, des plans de développement et des...
Por normat, ligjshmëritë, planet e zhvillimit e investimet nuk mjaftojnë – pohoi - sepse duhet ndryshuar stili personal e komunitar i jetesës, mënyra e konsumit dhe e plotësimit të nevojave të ndryshme. Mbi të gjitha, është e nevojshme të kujtojmë detyrën morale të dallimit të së mirës nga e keqja në veprimet njerëzore, për të zbuluar kështu, lidhjet që bashkojnë njeriun me Hyjin”.







All the contents on this site are copyrighted ©.