2009-11-16 17:38:17

Ati i Shenjtë në Engjëllin e Tënzot: Fjala e Zotit na dhuron jetën e pasosur.


(16.11.2009 RV)Fjala e Zotit e shndërron botën. Benedikti XVI në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, ftoi për ta pranuar këtë farë, që i hap njeriut portat e amshimit. Në Ditën kushtuar viktimave të rrugës, që kremtohej dje, Papa u bëri thirrje të gjithë atyre që udhëtojnë me automjete të ndryshme, të jenë të vetëdijshëm për përgjegjësinë ndaj jetës së tyre e të të tjerëve.
“Një dhuratë e paçmueshme”: Papa falënderoi Zotin për shtegtimin e lashtë, e gjithnjë të ri, të fesë, që kreu familja shpirtërore e Kishës në vitin liturgjik, i cili përfundon pas dy javësh:
“Është një dhuratë e paçmueshme, që na mundëson të jetojmë në historinë e misterit të Krishtit, duke e pranuar në brazdat e jetës sonë personale e komunitare, farën e Fjalës së Zotit, farë amshimi, e cila e shndërron nga brenda këtë botë e ia hap portat e Mbretërisë qiellore”.
Më pas Benedikti XVI u ndalua tek profecia e Krishtit për fundin e kohëve: “Qielli e toka – thotë Jezusi - do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë”. Fjalët qielli e toka përdoren për të treguar universin:
Shkrimi Shenjt nuk ka dyshime: e gjithë krijesa është e paracaktuar të mbarojë, duke përfshirë edhe elementet e hyjnizuara nga mitologjitë e lashta; nuk ka pështjellim, por vetëm ndryshim të qartë, ndërmjet Krijimit e Krijuesit".
Fjalët e Jezusit nuk do të kalojnë, sepse i përkasin Hyjit e prandaj, janë të amshuara. Krishti krahasohet me farëhedhësin dhe shpjegon se fara është Fjala: ata që e dëgjojnë e që e pranojnë, sjellin fryte, bëjnë pjesë në mbretërinë e Hyjit, mbeten në botë, por nuk janë më të botës:
“Kanë në vetvete një farë amshimi, një fillesë shndërrimi, i cili shfaqet që tani në një jetë të mirë, të frymëzuar nga dashuria e krishterë, e cila në fund do të prodhojë ringjalljen e trupit. E ky është pushteti i Fjalës së Krishtit”.
Është pikërisht Virgjëra Mari – tha Papa para se të kremtonte Lutjen e Engjëllit të Tënzot - shenja e gjallë e kësaj së vërtete.
E pas lutjes, Benedikti XVI kujtoi Ditën botërore të viktimave të rrugës, duke i ftuar të gjitha ata që shtegtojnë në rrugët e botës, të jenë të kujdesshëm e plot përgjegjësi për dhuratën e shëndetit të tyre e të të tjerëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.