2009-11-14 16:00:53

Shenjtorët e javës sipas Kalendarit kishtar:


(14.11.2009 RV) Më 15 nëntor Kisha katolike kremton të dielën 33-të të kohës gjatë vitit kishtar, e po sot me 15 nëntor kalendari Kishtar e përkujton Shën Albertin e madh, ipeshkëv e doktor i kishës dhe Shën Jozef Pinjatelin, meshtar jezuit. Na kujtojnë se Jezusi shëroi shumë të gërbulur, po vetëm njëri u kthye ta falënderojë atë, që ka forcë të shërojë sëmundjet e korpit e të shpirtit. I krishteri i vërtetë duhet ta pranojë çdo çast pushtetin e Zotit mbi jetën e tij e duhet të jetë i vetëdijshëm se është Hyji ai, që na prin drejt të mirave të jetës së amshuar.


Duke ndjekur liturgjinë e festës së Shën Margeritës së Skocisë e të Shën Gjeltrudes, virgjër benediktine - të hënën me 16 nëntor , nuk mund të mos na lindë pyetja: “Ç’është mbretëria e Zotit? Kur do të vijë?”. Këto pyetje i bëjmë edhe sot, siç i bënin farizejtë në kohën e Jezusit. E pra Ai na fton të mos e ndjekim këtë logjikë njerëzore e ta pranojmë pa kushte në jetën tonë të përditshme.


Ta humbasësh jetën, për ta shpëtuar. Këtë mendim, në dukje kontradiktor, na kujton, të martën e ardhshme me 17 nëntor, festa e Shën Elizabetës së Hungarisë, terciare françeskane. E pra vetëm ai që do ta ketë dhuruar plotësisht jetën, do të shpërblehet në ditën e mbramë. Ndërsa kush ia mbyll vëllezërve portat e zemrës, nuk është në gjendje ta pranojë ardhjen e Zotit.


Të mërkurën me 18 nëntor do të kremtohet përvjetori i shugurimit të Bazikës vatikanase (1626) dhe i Bazilikës ostiense (1854). Na kujtojnë se lutja e vazhdueshme dhe bamirësia, janë dy cilësitë që e dallojnë të krishterin, i cili sillet kështu sepse përpiqet t’i ngjajë Zotit. Duke jetuar me lutje e dashuri, ecim të sigurtë në rrugët që çojnë drejt qiellit.
Të enjten e ardhshme me 19 nëntor kalendari Kishtar përkujton festën e Shën Matildës virgjër e të Shën Abdisë profet. Festa e tyre na kujton se Hyji i bën pjesëtarë të jetës së vet hyjnore të gjithë ata që vdesin në bashkim me Të.
Të premten me20 nëntor, kalendari Kishtar do të kremtojë Shën Oktavin dhe Shën Gjelazin I, papë. Liturgjia e festës së tyre na fton t’i shërbejmë gjithnjë Zotit, sepse shërbëtori besnik i Hyjit do të ketë jetën e pasosur.


Në festën e Kushtimit të Zojës Mari, që do të kremtohet të shtunën e ardhshme me 21 nëntor, Ungjilli na paraqet një nga mrekullitë më të mëdha të Jezusit: shërimin e zemrës së Xakeut të pangopur me pasuri. Nuk duhet harruar, prandaj, se mëshira e Zotit mund t’i prekë edhe njerëzit që duken të humbur.


Të dielën e ardhshme me 22 nëntor do të kremtohet e diela e fundit e këtij viti liturgjik, festa e Krishtit Mbret. E gjithnjë në këtë ditë përkujtohet edhe Shën Çeçilja, virgjër e martire, që na kujton se nxënës i vërtetë i Krishtit nuk është ai që e pret pasivisht kthimin e Zotit, por ai që bëhet shërbëtor i palodhur i mbretërisë së qiellit.










All the contents on this site are copyrighted ©.