Me 14 nëntor kalendari Kishtar përkujton Shën Shtjefnin Kyenò, ipeshkëv e martir
(14.11.2009 RV)Kalendari Kishtar i 14 nëntorit përkujton Shën Shtjefnin Kyenò,
ipeshkëv e martir. Shekulli ishte vetëm dy vjeç - kështu e përshkruan datëlindjen
e vet nën Napoleonin, Konsull i parë, Viktor Hygoi, patriark i letërsisë romantike
franceze që lindi në Bezanson të Francës më 8 shkurt 1802. Në të njëjtin vit me autorin
e romanit “Të mjerët” lindte, në Belië, i biri i një bujku, që më pas do të bëhej
ipeshkëv, si imzot Myriel tek romani i Hygoit, e që do të kthente në rrugë të drejtë,
duke e thirrur vëlla, jo vetëm një ish të burgosur zemërbardhë si Zhan Valzhani, por
mijëra paganë nga Indokina, të cilët i desh si t’i kishte vërtetë vëllezër.
Me ipeshkvin Myriel, Viktor Hygo krijonte figurën ideale të prelatit të lidhur ngushtë
me popullin e me mjerimin e tij, me shpirt sa ungjillor, aq edhe revolucionar. Po
ta kishte njohur imzot Kyenň-n, do të kishte pasur rastin të shihte figurën, jo letrare,
por reale, të një biri të popullit, për të cilin “i afërmi”, nuk ishte një shprehje
e përgjithshme, as një farë klase shoqërore, që jetonte në një vend e në një periudhë
të caktuar historike. I afërmi për të përfshinte të gjitha klasat, të gjitha racat
e kombet, në atë revolucion të përhershëm që është krishterimi i vërtetë. I pagëzuar
në një kullë sane, i edukuar nga famullitarët e fshatit, Shtjefni i ri studioi me
ndihmën e prindërve, që i paguanin mësueset me dhurata në natyrë. Kur hyri
në teologji, e ëma shiti petkun e saj të martesës, për t’i blerë uniformën e studentit.
Prandaj, sa u shugurua meshtar, gjëja e parë që bëri, ishte t’i blinte nënës një fustan
të ri. Nuk e gjeti menjëherë rrugën e meshtarisë. Në fillim deshi të bëhej orëndreqës.
Pastaj shërbeu si katekist e si mësues besimi. Së fundi e gjeti rrugën e vërtetë,
duke hyrë, në vitin 1827 në Kongregatën e Etërve misionarë të Shën Vinçenc de Paolit.
Një vit më vonë misionari i ri arrinte në Indokinë. Në vitin 1835 u shugurua
ipeshkëv i Metelopolis. Filloi menjëherë betejën për të mbrojtur besimtarët e tij
të nëpërkëmbur e të persekutuar nga ana e autoriteteve budiste. E në këtë betejë nisi
të fitonte mijëra shpirtra. Mijëra vetë nisën të kthehen në fenë e krishterë, të frymëzuar
nga shembulli i jetës së ipeshkvit. Kur njeri prej tyre detyrohej, me tortura, të
mohonte fenë e re, njëqind të tjerë kërkonin Pagëzimin. Kleri vendas u trifishua,
u hapen shumë shtëpi për edukimin e jetimëve, vijoi me zell të madh përkthimi i librave
kishtarë e fama e ipeshkvit francez arriti deri në zonat e largëta malore të Laosit.
Në vitin 1861, gjatë persekutimit të të krishterëve nga ana e mbretit Tu-Duk, ipeshkvi
shenjt u kap e u mbyll në kafaz. Nuk u mbyt menjëherë, por ngadalë-ngadalë me helme
që përdornin vendasit, derisa mbylli sytë më 14 nëntor 1861. Prandaj konsiderohet
martir e nderohet me titullin ‘i Lum’. Rojet që e ruanin thanë për të: “Ishte
bërë i përkryer, prandaj qielli nxitoi ta merrte para se të pësonte një poshtërim
të ri”. E kishin fjalën për trajtimin e trupit të tij të vdekur, të cilit iu pre koka.
Një vit pas vdekjes së tij, një traktat ndërmjet Francës e Indokinës, sanksiononte,
të paktën në teori, lirinë e kultit në vend.