Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 33-të gjatë vitit kishtar,'B' 'Jezusi
nuk na tregon orarin e saktë por na tregon udhën e vërtetë'
(14.11.09. RV)Ja përsëri në takimin
tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të Liturgjisë Hyjnore të së dielës, kësaj
herët do ti dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së para fundit
të këtij viti liturgjik, të dielës së 33-të. Me afrimin e fundit të vitit liturgjik,
Kisha na propozon për reflektim tonin pjesën e fundit të fjalimit të madh eksatologjik
të Jezusit (krh Mk 13). Para se të shkon drejt mundimeve, vdekjes e ngjalljes të tij
(krh. 14-16), Jezusi u drejton nxënësve të vet një fjalë plot autoritet mbi mbarimin
e kohërave, duke i mësuar mbi ngjarjen që do të rishqyrtojë e përmbledh tërë historinë
e do t’i japë kuptimin e plotë dhe përfundimtar: mbi paruzinë, do të thotë mbi ardhjen
e lavdishme të Birit të njeriut. Dhe vërtet ngjarjet e mbrame të historisë së
njeriut e të botës mbarë janë ngushtë të lidhura me misterin e Zotit e të Jezu Krishtit:
Zoti është i pari e i mbrami, fillimi e mbarimi. Do të jetë pikërisht ardhja e Krishti
që do t’u jap fund sendeve të vdekshme dhe do të vendos farën e pavdekësisë. Kjo do
të marrë formën e plotë e përfundimtare me kthimin e lavdishëm të Zotit në mbarimin
e botës. Në pritje të ardhjes së dytë të Jezu Krishtit Zot e Shpëtimtar, bashkësia
e krishterë, nuk pushon së punuari e impenjuari në realitetet njerëzore ( në punë,
shoqëri, politikë, kulturë e në familje), pra zhytet në realitetet e jetës së përditshme
njerëzore mbi tokë në pritjen e lartësimit e të shndërrimit të tyre në qiellin e ri
e tokën e re. Prandaj plot besim e impenjim duhet të zhytemi në rrjedhën e kohës,
duke ditur se jemi ndërtues të historisë së shëlbimit, së bashku me Krishtin, e të
bëhemi urëlidhëse mes njerëzores e Hyjnores. Leximet biblike të kësaj së diele
pohojnë e na sigurojnë se Hyji është Zotëria i kohës dhe i historisë. E ardhmja jonë
është në duart e tij, në duart e Atij që ka krijuar gjithësinë dhe atë e udhëheq drejt
plotësimit. Prej asgjëje nuk duhet të kemi frikë, por t’ia hapim zemrën Krishtit të
Kryqëzuar e të Ngjallur, që do të kthehet një ditë më fuqi e më dashuri.
Tekstet
biblike të liturgjisë së Fjalës të kësaj së diele flasin për seriozitetin e jetës
së njeriut dhe të pritjes së ngjarjeve të fundit të ekzistencës njerëzore mbi tokë.
‘Rrini zgjuar e të jeni të gatshëm…sepse Zoti do të vijë’: kjo është tema që trajtohet
nga leximet biblike duke na drejtuar tek përmasa themelore e përvojës dhe përjetimit
të fesë së krishterë. Ajo i drejtohet „realiteteve të mbramë“ dhe na thërret të përgatitemi
e të jemi përherë në pritje të Mbretërisë së Zotit. Një jetë e re hapet pas vdekjes
trupore; historia jonë hapet para amshimit. Kështu Liturgjia e Fjalës së Zotit
e kësaj së diele na fton të presim me besim e shpresë shfaqjen përfundimtare dhe ardhjen
e lavdishme të Jezu Krishti, birit të Zotit e Birit të njeriut.
Liturgjia e Fjalës se Zotit
Leximi i parë Dan 12, 1-3
Me
një fjalor plot imagjinatë Danieli, një profet i Besëlidhjes së Vjetër, transmeton
një mesazh të thellë shprese: të drejtët janë të thirrur në jetën e amshuar. Ky
lajm do të shpallet plotësisht në Ungjijtë pas ngjalljes së Jezu Krishtit. Lexim
prej Librit të Danielit profet
Në atë kohë do të ngrihet Mikaeli, Princi
i Madh, që i mbron bijtë e popullit tënd. Kjo do të jetë një kohë ngushtice të madhe.
E tillë nuk qe qysh se filluan të jetojnë popujt e deri në atë kohë! Në këtë kohë
populli yt do të shpëtojë: secili që do të gjendet i shkruar në Libër. Një numër
i madh i atyre që flejnë në tokën e pluhurit do të zgjohen: disa për jetën e pasosur
e disa për turpin e përhershëm. Dijetarët do të shkëlqejnë porsi kthjelltësia e kupës
qiellore, e ata që ua kanë mësuar shumëve drejtësinë, do të shkëlqejnë porsi yjet
në amshimin e përhershëm. Fjala e Zotit.
Psalmi 16
Më
ruaj, o Zot, sepse në ty shpresoj ---------- Zoti është pjesa e trashëgimit
tim dhe gota ime, në dorën tënde është fati im! Zotin e kam gjithmonë para
sysh, më rri në të djathtë, nuk kam sesi të rrëzohem! ---------- Prandaj
galdon zemra ime, gëzon shpirti im, mbarë trupi im pushon në qetësi. S’do
të ma lësh shpirtin në nëntokë, as s’do të lejosh që Shenjti yt të kalbet në
dhe. ---------- Ti do të ma tregosh udhën e jetës, gëzimin e plotë para fytyrës
sate, kënaqjen e amshueshme në të djathtën tënde. ----------
Leximi
i dytë Heb 10, 11-14.18
Në besimin e Besëlidhjes së Vjetër shpesh besohej
se Zotit mund t’i merrej falja me forcë, nëpërmjet riteve, ofertave dhe flive. Nëpërmjet
Krishtit ne e kemi marrë faljen njëherë e përgjithmonë dhe për të gjitha mëkatet.
Hyji nuk do vdekjen e mëkatarit, por që ai të kthehet dhe të jetojë. Një i krishterë
njeh praninë e mëkatin, por beson me qëndrueshmëri më të madhe në fitoren e Krishtit
mbi mëkatin.
Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve
Çdo prift tjetër
qëndron gati për çdo ditë për të kryer shërbesën e kultit dhe shpesh kushton po të
njëjtat fli, të cilat assesi s’mund t’i shlyejnë mëkatet. Krishti, përkundrazi, duke
pas kushtuar për mëkate vetëm një fli të vetme, rri përgjithmonë në të djathtën e
Hyjit, dhe qysh atëherë pret vetëm që armiqtë e tij të vihen shtrojë e këmbëve të
tija. Dhe, vërtetësisht, me një kusht të vetëm i përsosi për amshim të shenjtëruarit.
Tashti, atje ku u falën mëkatet, nuk ka më kushte për to! Fjala e Zotit.
Ungjilli Mk 13, 24-32
Jezusi shpall fundin e botës kur do të kthehet për
të gjykuar historinë e njerëzve. Mund të ndodhë që njerëzit e sotshëm që janë
të pangopur me pasuri, kënaqësi dhe pushtet, të goditen nga katastrofa të mëdha.
Edhe në këtë rast për besimtarin mund të ketë “një lajm i mirë”, nëse njeriu pas
katastrofës pranon të bashkëpunojë në ndërtimin e historisë sipas planit të Hyjit.
Leximi
i Ungjillit shenjt sipas Markut
Jezusi u tha nxënësve të vet: “Porse, në
ato ditë, pas aso vështirësie, dielli do të terratiset, hëna nuk do ta lëshojë dritën
e vet, yjet do të bien prej qiellit, e trupat qiellor do të lëkunden. Atëherë do
ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me fuqi të madhe e me lavdi. Ai do t’i
dërgojë engjëjt e vet e do t’i bashkojë të zgjedhurit e vet nga katër anët e botës
– prej skajit të tokës deri në skaj të qiellit. Mësoni prej shëmbëlltyrës së fikut:
Posa i lëngëzohen gemat e qet gjethe, e dini se vera është afër. Kështu edhe ju, kur
të shihni se po ndodhin këto, dini se është afër – te dera! Përnjëmend po ju them:
nuk do të kalojë kjo brezni pa u bërë të gjitha këto. Qielli e toka do të kalojnë,
e fjalët e mia nuk do të kalojnë. Sa për atë ditë e për atë orë, s’di askush, as
engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati.” Fjala e Zotit.