Sot me 13 nëntor kalendari Kishtar, përkujton Shën Nikollën I Papë.
(13.11.2009 RV) Papa Nikolla I, që e drejtoi Kishën katolike universale nga
24 prilli i vitit 858 deri më 13 nëntor 867, lindi në Romë në 20 vjetët e para të
shekullit IX. Është e sigurtë se u shugurua subdiakon nga Papa Sergji II, i cili papnoi
nga viti 844 deri në vitin 847. Ishte njeri me kulturë të gjithanshme, me personalitet
të jashtëzakonshëm, me fe të gjallë. Prandaj u mirëprit si nga autoritetet shekullare,
ashtu edhe nga Kisha e nga populli romak. Gjatë Papnisë së tij iu desh të ndeshej
si me mbretërit, ashtu edhe me mitropolitët e autoritetet politike e kishtare të Kostandinopojës
për afirmimin e parisë papnore dhe për pranimin e epërsisë së Kishës në çështjet fetare,
posaçërisht në zgjedhjen e ipeshkvijve. Papa Nikolla I, që mendonte se njerëzit e
Kishës nuk duhet të merrnin pjesë në qeverisjen e punëve të kësaj bote, vdiq më 13
nëntor 867 e u varros në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan, para portave
të saj.