2009-11-13 19:01:58

Festival i muzikës kishtare kushtuar meshtarëve


(13.11.2009 RV)Katër bazilikat papnore romake dhe Kisha e Shën Injacit të Lojolës në Kampo di Marcio, do të jenë mjediset, ku do të jepen koncertet e Festivalit VIII ndërkombëtar të muzikës dhe të artit kishtar, nga 18 deri më 22 nëntor e, pastaj, më 11 dhjetor, gjithnjë në Romë. Shumë i pasur programi, që u paraqit sot nga kardinali Anxhelo Komastri, kryetar nderi i Festivalit dhe Hans Albert Courtial, kryetar i Fondacionit për muzikën e artin kishtar.
Dy protagonistët e edicionit VIII të Festivalit, kushtuar të gjithë meshtarëve me rastin e Vitit Meshtarak, shpallur nga Benedikti XVI, do të jenë polifonia e shkollës romake dhe organo, me restaurimin e Tamburinit të çmuar të Bazilikës së Shën Injacit.
Duke folur, sot, në paraqitjen e kësaj ngjarjeje të madhe, programin e së cilës mund ta njihni me hollësi në adresën e internetit ‘VII Festival Internazionale di Musica e Arte sacra”, kardinali Anxhelo Komastri theksoi:

Përgjigje: - Muzika është pjesë përbërëse e lutjes, është një mënyrë për t’u lutur; dhe është e qartë se duhet vepruar në mënyrë që në kisha, kremtimet të shoqërohen me një muzikë që është e denjë për lutjet, e aftë për ta thelluar lutjen, për t’i dhënë flatra shpirtit. Ja, pra, pse ka rëndësi që muzikës t’i kushtohet vëmendje e dorës së parë, e të mos pranohet çfarëdolloj muzike.

Pyetje: - Ç’kontribut do të japë, në këtë drejtim, Festivali VIII?

Përgjigje: - Muzika kishtare nuk është si çdo lloj muzike. Ajo ka për qëllim të edukojë për lutje e, mbi të gjitha, të krijojë në zemrën e njerëzve ndjesinë e misterit e të heshtjes para misterit, që të ndihmon, pastaj, edhe ta shijosh këngën. Është një gjuhë, që na e ka dhuruar Zoti, për të folur me të e për t’u vënë në dëgjim të zërit të Tij. Për të dhënë një edukatë të tillë organizohet Festivali, sepse jetojmë në një epokë, në të cilën muzika, në vend që t’i flasë shpirtit, e trullos atë.







All the contents on this site are copyrighted ©.