Sot me 12 nëntor kalendari Kishtar përkujton Shën Jozafatin, ipeshkëv e martir
(12.11.2009 RV)Shën Jozafati lindi në Vilnius të Lituanisë rreth vitit 1580
nga prindër ortodoksë. Rreth moshës 20 vjeçare u kthye në katolicizëm dhe hyri ndër
rregulltarë bazilianë (1604), ku pas pak kohe u zgjodh i parë, pastaj abat e, së fundi,
kryeipeshkëv i Polozkut (1617). Gjatë gjithë jetës së tij meshtarake ruajti
ritin e Kishës Uniate, në harmoni të plotë me Kishën e Romës. Për këtë, gjithnjë në
harmoni me Romën, punoi pa pushim: riorganizoi klerin e vendit, jetën rregulltare
dhe sjelljet fetare. Ktheu në bashkimin e Kishës aq shumë njerëz, sa të
quhej nga të gjithë: “ Rrëmbyes shpirtrash”. Kundërshtarët nisën ta urrenin për shkak
të jetës së tij të shenjtë, e sidomos të apostullimit, zhvilluar ndërmjet ortodoksëve
të Rutenisë. Urrejtja e ortodoksëve të shkëputur nga Kisha u thellua aq,
sa një ditë i hynë të armatosun në banesën e argjipeshkvisë, e mbytën mizorisht dhe
trupin e tij e flakën në lumin e Dunës. (Viterbsk, Rusia e Bardhë, 1623).