Nga Facebook në Youtube: ipeshkvijtë evropianë në Vatikan për t’u konfrontuar mbi
mundësitë e internetit në baritorinë e përditshme
(12.11.2009 RV)“Kultura e internetit
dhe komunikimi në Kishë”: kjo është tema e Asamblesë së përgjithshme të Komisionit
Ipeshkvnor evropian për Mediat, që filloi sot pasdite në Vatikan, për të përfunduar
të dielën, më 15 nëntor. Ndër argumentat që do të trajtohen gjatë këtyre
ditëve janë: pasojat e ekzistencës së internetit për misionin e Kishës, si ka hyrë
rrjeti i internetit në baritorinë e përditshme të dioqezave dhe famullive të botës
e në ç’mënyrë Kisha ia përshtat mesazhin e krishterë kulturës aktuale interaktive.
Për Konferencën Ipeshkvnore të Shqipërisë, është i pranishëm në takim, ipeshkvi i
Sapës, imzot Lucian Avgustini. Ipeshkvijtë do të konfrontohen me ekspertët
e internetit, që punojnë për Facebook, Google-Youtube dhe Vikipedia. Nuk do të mungojë
edhe diskutimi mbi piraterinë informatike, përmes dëshmisë së një të riu haker zviceran
dhe të një përgjegjësi të Interpolit për luftën kundër kriminalitetit në internet.